Po mundohesha me thanë diçka me artin tim thjeshtak, në nji sallë me shumë pasqyre e drita, dikund n’Bronx, ku shqiptarët gjetën strehë tash e njiqind vjet, t’ikunit nga titizmi e enverizmi!
T’luftave t’para e t’luftës se fundit! Edhe ata t’skamjes! Por, edhe të zhdjergunit e mi rugovas, t’ardhunit për nji jetë ma t’mirë e për do dollarë, n’katundet maje t’krepit!
E kisha shtrëngua përmjetin me shokën e vekut e kryet e kisha pshtjellë me shallin qefin. Bërthekua e kisha xhamadanin e lidhë me toja opangat lëkurë lope.
Kaçubet m’dukej vetja. Veç krahët mungojshin me fluturua mbi tryezat e tyne plot mish!
Kisha shkrua fjalë e fjalë të rrenojat e kullës se Tahir Fetahut e pak edhe të kulla gërmadhë e Tahir Abazit n’Drelaj. I kisha marrë n’damarët e gjakut të gjithë herojt e kufinit edhe ata t’Moraçës e t’Nokshiqit i kisha pru pshtjellun n’shallin tim t’bardhë.
Hej, po i gostisja me stërgjyshit e tyne atë natë!
Por…tryezat i kishin fajet! S’ishin sikur siniat e katundeve të tyne, me nji sahan kosi e tjetri me djath tinari! Me bukën e kollomoqit të rreshkun n’prush! Jo! Ato ishin me copa mish viçi, pule, peshku, edhi…!
Gastaret me lloje venash e alkoholi, po cakëroheshin me fjalët e mia, e po vërboheshin në dritat e celularëve që filmonin atë grimë lojë t’artistit t’ardhun n’kremtën e flamurit! Po shkyhej mish viçi e fjalë Çuni!
Atë natë po m’thyheshin krahët përgjithëmonë, tue recitua mes rugovasve t’mi dikund n’Bronx!
Nji vdekje po m’priste n’konak, e n’Bronx po fluturoja!
Rexha i Haxhi Xhemës po m’përpinte me sytë e detit tue m’xhirua e nuk po e dinte pse!
Edhe Agimi i Dugaivës, edhe Syla i Rekës Allagës, edhe Shekja e Isufit, mesa ime, po fluturonin gëzimit me mua!
Atë natë nandori t’vitit 2017-të, nuk di pse u ishte zgjua aq shumë malli për trojet e tyne, e pse s’po u hahej mishi n’tryeza! I përpinin fjalët e mia e unë fluturoja si skyfteri n’sytë e tyne!
Atë natë unë po festoja për flamurin n’Bronx mes rugovasve t’mi, e n’dhomën e vogël, n’Kurrizin e Dardanisë po jepte shpirt n’vetmi ime bijë! Natë që s’u harrua kurrë!
U ktheva i thyem për tu coptua çdo ditë tue kujtua atë natë gëzimi e tmeri!
S’di a do t’fluturoj ma përtej Oqeanit, për mu duk skyfter n’sytë e rugovasve t’mi, se nji vdekje mi muer krahet e mbeta cung!
*Titulli i origjinalit: “Mua nji vdekje po m’priste n’konak!”