Masat e marra në kuadër të sezonit turistik janë shpjeguar me detaje nga zv.ministrja e Brendshme Romina Kuko në një bisedë në studio në emisionin “7pa5” në Tv Vizion plus. Ajo theksoi se është shtuar numri i punonjësve të policisë përgjatë vijës bregdetare me mbi 1000 policë, ndërkohë që në paketën e masave është treguar kujdes thelbësor për mbarëvajtjen e qarkullimit rrugor, menaxhimit të fluksit të qytetarëve në pikat kufitare etj.. Kuko nënvizoi gjithashtu masat e shtuara për sigurinë e plazhistëve me disiplinimin e motorëve të ujit përmes kontrolleve rigoroze e po kështu edhe për masat ndaj grabitësve të shtëpive të qytetarëve në kohën që ata janë me pushime.
Duke bërë një përmbledhje kronologjike të masave në kuadër të këtij sezoni, zv.ministrja Kuko tha:
“Policia e Shtetit ka bërë një analizë që në muajin nëntor të vitit të kaluar në lidhje me ecurinë e sezonit turistik të vitit të kaluar për të nxjerrë të gjitha problematikat që ka pasur sezoni i 2017-ës. Për 2018-ën, ju e dini që sezoni turistik është një prioritet dhe pritshmëritë janë të larta. Pas urdhrit të Kryeministrit, është hartuar një plan masash i detajuar nga policia e shtetit i cili përfshin jo vetëm punën e policisë, por edhe aktorët e tjerë siç janë prefektët, bashkitë, njësitë administrative.
Plani i masave ka tre shtylla kryesore: -ruajtja e rendit dhe sigurisë publike; -mbarëvajtja e trafikut rrugor;-menaxhimi i hyrje-daljeve në kufi,” u shpreh ajo në intervistën e dhënë.
Në lidhje me menaxhimin e problemeve të trafikut të shtuar dhe problemeve që mund të lindin në zonat e nxehta, Kuko tha se ndër masat e marra është shtimi i numrit të punonjësve të policisë në këto pika.
“Kemi shtuar shërbimet për të garantuar rendin dhe sigurinë publike. Ne kemi shtuar përgjatë vijës bregdetare turistike, trupat e policisë me 1078 vetë. Këta punonjës do të merren nga shërbimet e tjera dhe do të jenë në patrullim, do të mbështesin edhe oficerët e “policimit në komunitet”.
Në lidhje me grabitjen e banesave të pushuesve, ajo tha se “e vlerësojmë si rrezik që nuk duhet neglizhuar, kështu që edhe ky problem ka marrë përgjigjen e duhur në planin e masave , për sa i përket zonave policore dhe punës së policisë në monitorimin e tyre”.
Sa u përket masave të marra për sigurinë në përgjithësi dhe problematikat në qarkullimin, rrugor, Kuko u shpreh se:
“Trafiku rrugor në sezonin turistik është jashtëzakonisht i ngarkuar. Ne kemi identifikuar ‘hot spot-et” e kriminalitetit dhe ato të aksidenteve, pikat e zeza që po përmendim. Kemi identifikuar gjithashtu edhe plazhet të cilat janë problematikë, ku ka pasur mbytje të personave. Prandaj kemi nxitur pushtetin vendor për të vendosur sinjalistikën e duhur”.
Sa u përket rreziqeve në ujë dhe vdekjeve të shkaktuara nga përdoruesit e motorëve të ujit, Kuku shtjelloi gjerësisht kushtet e përdorimit dhe nënvizoi vëmendjen e shtuar të policisë ndaj këtij problemi.
“Motorët e ujit është një histori që duhet të marrë fund. Përfundimisht, përdorimi pa kriter i motorëve të ujit në zona ku ka pushues që notojnë në det do të marrë fund. Ne do të monitorojmë të gjitha rregullat që janë vendosur për përdorimin e motorëve të ujit. Në zona të caktuara, këta motorë do të jenë të pajisur me leje, pra policia do të bëjë kontrolle rigoroze, nëse këta motorë uji janë të pajisur me leje përkatëse, nëse janë në distancat përkatëse, nëse shkelin një zonë të caktuar. Pra policia do të patrullojë dhe vërtet mund të jetë një peshë në punën e policisë, por kjo është e patolerueshme. Policia në çdo rast do të zbatojë ligjin. Motorët e ujit dhe aq më tepër aksidentet me humbje jete nga motorë uji, duhet të marrin fund,” – u shpreh zv.ministrja Kuko për Vizion plus.
Kuko shtjelloi më tej edhe masat e marra për sigurinë rrugore dhe ristrukturimin e policisë rrugore me qëllim për të dhënë një shërbim sa më cilësor, modern e lehtësues për qytetarët.
Kuko shpjegoi gjithashtu rezultatet e sondazheve të bëra mbi punën e policisë, sipas të cilave mbi 62% e qytetarëve vlerësonin shumë mirë punën e Policisë së Shtetit. Sondazhet janë bërë nga institute të huaja dhe pa asnjë lidhje me Ministrinë e Brendshme. Të njëjtat rezultate kanë dalë edhe nga një sondazh tjetër i pavarur suedez, tha Kuko.