Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në tremujorin e tretë 2023 bilanci i llogarisë korrente ishte pozitiv në vlerën e 354 milionë eurove, përkundrejt një deficiti prej 145 milionë eurosh që ishte shënuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Për herë të parë në historinë e saj ai ekonomi e hapur Shqipëria ka një bilanc të jashtëm pozitiv. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në tremujorin e tretë 2023 bilanci i llogarisë korrente ishte pozitiv në vlerën e 354 milionë eurove, përkundrejt një deficiti prej 145 milionë eurosh që ishte shënuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Suficiti i llogarisë korrente për tremujorin e tretë madje tejkaloi deficitin e akumuar në dy tremujorët e parë të vitit. Kjo bëri që për 9-mujorin bilanci i llogarisë korrente të jetë pozitiv në vlerën e 28 milionë eurove.
Të paktën që nga hapja e ekonomisë shqiptare, kjo është hera e parë që Shqipëria ka një bilanc të llogarisë korrente progresiv pozitiv. Kontributin kryesor në përmbysjen e pozicionit të jashtëm të vendit e ka dhënë turizmi. Të ardhurat në zërin e udhëtimeve për tremujorin e tretë shënuan një vlerë rekord prej 1.66 miliardë eurosh, në rritje me 56.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ndërsa të ardhurat neto, duke zbritur flukset dalëse, shënuan gjithashtu vlerën rekord të 885 milionë eurove, në rritje me 75% krahasuar me vitin e kaluar. Për 9-mujorin 2023, të ardhurat neto nga turizmi arritën në 1.46 miliardë euro, në rritje vjetore me 73%. Përveç turizmit, në përgjithësi sektori i shërbimeve vazhdon të japë një kontribut të lartë në rritjen e eksporteve të vendit, duke filluar nga shërbiemt e fasonerisë.
Sipas Bankës së Shqipërisë, shërbimet për përpunim të inputeve fizike të zotëruara nga të tjerët për tremujorin e tretë sollën 198 milionë euro, në rritje me 49% krahasuar me një vit më parë. Për të gjithë 9-mujorin, fasoneria solli të ardhura neto në ekonomi në vlerën e 592 milionë eurove, në rritje me 25% krahasuar me një vit më parë.
Kontribut pozitiv në bilancin e llogarisë korrente vazhdojnë të japin edhe remitancat. Për 9-mujorin, dërgesat e emigrantëve arritën vlerën e 677 milionë eurove, në rritje me 14% krahasuar me një vit më parë.
Valët e reja të emigrimit të shqiptarëve në vitet e fundit kanë rimëkëmbur remitancat, duke ndikuar pozitivisht bilancin e llogarisë korrente të vendit. Inflacioni i lartë dhe rënia e kursit të Euros gjatë dy viteve të fundit gjithashtu mund të ketë nxitur rritjen e remitancave, për të mundësuar ruajtjen e fuqisë blerëse të familjeve të varura prej tyre.
Zërat e mësipërm mundësuan tejkalimin e deficitit tregtar në mallra, që sidoqoftë për 9-mujorin vazhdoi të rritej, me 9.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Përmirësimi i dukshëm i Bilancit të Pagesave e shpejgon në një masë të madhe forcimin e lekut në kursin e këmbimit valutor. Gjatë verës së këtij viti, Euro zbriti shumë afër kufirit të 100 lekëve, duke u zhvlerësuar me më shumë se 14% me bazë vjetore. Rënia e Euros po vazhdon edhe gjatë tremujorit të fundit. Më datë 11 dhjetor, Euro këmbehej me 101.7 lekë, në rnëie me më shumë se 13% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Nëse efektit të përmirësimit të bilancit të llogarisë korrente i shtojmë edhe flukset gjithmonë e në rritje të llogarisë financiare, kryesisht për shkak të rritjes së investimeve të huaja direkte, konkluzioni është se këtë vit në ekonominë shqiptare ka hyrë më shumë valutë nga s aka dalë, duke ndikuar në zhvlerësimin e Euros dhe forcimin e lekut.
Megjithatë, rënia e kursit të këmbimit besohet se është nxitur më tej edhe nga politika fiskale shtrënguese e qeverisë shqiptare dhe suficiti buxhetor në nivelet më të larta historike. /Monitor