Pas 15 urdhër arresteve për inceneratorin e Tiranës, duket se opozita është e ndarë në dy qëndrime ndaj këtij operacioni të SPAK.
Partia Demokratike dhe disa deputetë të tjerë jashtë tyre ndjehen të kënaqur me operacionin dhe po përpiqen të dëshmojnë dhe rolin e tyre denoncues në këtë histori.
Grupi tjetër, ai i Berishës duken tërësisht të pakënaqur me listën e gjatë të arrestimeve. Nuk është se kanë ndonjë pretendim të qartë, por pakënaqësinë e maskojnë me retorikën e zakonshme se në krye të këtyre punëve janë vetëm dy vetë, Edi Rama dhe Erion Veliaj.
Në të njëjtën linjë me këta, janë dhe opozitarët e Ilir Metës të grupuar tek Partia e Lirisë. Ligjërimi i tyre politikë rreth këtyre arrestimeve është i njëjtë me atë të Berishës.
Po përse kjo ndarje?
Nuk ka të bëjë me cilësinë e punës së SPAK. Ata kanë bërë maksimumin të hetojnë shpërdorimin e detyrës në këtë histori, dhe për të mbështetur në një farë mënyre arrestimet e mëparshme që kanë bërë, kryesisht janë përpjekur të lidhin arrestimet e djeshme me ato të mëparshmet.
Ndalimet e urdhëruara për inceneratorin e Tiranës plotësojnë mes të tjerash dhe gjeografinë e këtij procesi.
Pakënaqësia nuk ka të bëjë as me sasinë, pasi 15 vetë janë shumë për të qenë i pakënaqur, kur mendon se këtu për vrasje në bulevard janë ndaluar dy vetë dhe janë lëshuar, kurse për Gërdecin asnjë zyrtar i lartë.
Ka vetëm një shpjegim pse opozitarët e Berishës dhe Metës janë të pakënaqur, madje të mërzitur me arrestimet për inceneratorin e Tiranës.
Në mendjen e tyre SPAK vepron si një institucion që balancon proceset politikisht në punën e tij dhe tani mendojnë që meqë ata goditën një listë kaq të gjerë nga qeveria, javën tjetër mund të ketë goditje për Berishën dhe Metën.
Berisha me siguri mendon se SPAK do kërkojë forcimin e masës së sigurisë në arrest shtëpie, ndërsa ata të Metës mendojnë se ndoshta do të hapet procesi i tij, i cili ka nisur me sekuestro konservative dhe hetime telefonash e llogarish.
Nuk është e vërtetë që SPAK ka ndonjë grafik të tillë arrestimesh, se po ta kishte parim balancimin politik me aq shumë qeveritarë sa ka futur në burg, s’do kish ngel asnjë opozitar jashtë.
Por Berisha dhe Meta e dinë se çfarë kanë bërë dhe meqë hetimet i kanë nëpër këmbë, thjesht mendojnë se po u vjen ora ndaj dhe janë agresivë me atë që ka ndodhur me inceneratorin e Tiranës. Nuk e kanë as me hetimin, as me mungesën e shpresës se nuk do zbardhet.
Përkundrazi janë të shqetësuar që për atë po arrestohen njerëz dhe për gjëra të vogla. Kështu kur mendojnë se çfarë kanë bërë vetë, mund të vijë radha. Për kaq janë të mërzitur. Thjesht se mendojnë që këtë javë dhe në vazhdim kanë radhën.