Nga Spartak Ngjela
I.
Kur e vjetra kërkon të kthehet në pushtet, shoqërisht kjo është një komedi.
Sot në Shqipëri janë dy vjetërsira politike: Enver Hoxha dhe Sali Berisha që lëvrijnë me grupet e tyre. Njëri ka vdekur, dhe grupi i tij është pa motiv e pa mbështetje.
Kurse tjetri vijon luftën për të vjetrën që shqiptarët e kanë flakur para dhjetë vitesh, por ky i flakuri po ëndërron të destabilizojë Shqipërinë se ia kërkojnë pushtuesit historikë të territoreve shqiptare.
Në fakt, kjo është pamundësi historike, por çfarë ndodh?
II.
Kur e vjetra historike kërkon të destabilizojë shoqërinë që ajo të krijojë mbijetesën e saj, koha e përbuz.
Kur e vjetra historike mendon se nuk ka vdekur si koshiencë njerëzore dhe del e shfaqet për një sukses të sajin, por me një veshje moderne, karikaturistët e talentuar krijojnë një vepër arti.
Kur e vjetra historike nuk don të largohet nga skena e teatrit politik, audienca largohet nga salla e teatrit me përbuzje.
Kur e vjetra historike qëndron se e ka shpresën tek ndonjë pushtues që kërkon prej shekujsh të hyjë në atë vend, e vjetra mund të rrokë edhe armët.
Nëse e vjetra historike vërtet rrok armët në një vend, i cili këtë vjetërsirë e ka përbuzur, shoqëria nuk shkon në regres, sepse, në këtë rast, asaj i jepet mundësia që të vjetrën ta shkulë përfundimisht e me gjithë rrënjë nga ai vend, dhe ta flakë në plehrat e historisë.
Pyetja është kjo:
A mund të ndodhë kjo sot në Shqipëri, që vjetërsia historike të marrë armët?
Kjo nuk ka mundësi të ndodhë, se është si një pamundësi absolute, por, nëse ndodh, Shqipëria do të lajë një herë e përgjithmonë duart me vjetërsinë historike dhe zhvillimi i saj, pas këtij çasti, do të jetë një progres gjigant me zhvillim të madh ekonomik.
Pse nuk ndodh dot që vjetërsia historike të marrë sot armët me ata pak laro që ka rreth vetes?
Sepse, Shqipëria është në NATO, dhe dihet që, në këtë rast, qeveria aktuale e Shqipërisë do të kërkonte ndihmën e NATO- s, domethënë Shteteve të Bashkuara të Amerikës; dhe hordhitë e Beogradit brenda Shqipërisë do të fundoseshin me zhdukje, përfundimisht…