Edhe pak ditë na ndajnë nga nata e ndërrimit të viteve, blerja e gjelit të detit është një traditë e vjetër tashmë. Rënia e fuqisë blerëse dhe rritja e kostove, po ul interesin e fermerëve për të mbarështuar gjelat e detit.
Në një panair lokal në Peqin, fermerët treguan se interesi për të mbarështuar gjela, ka ardhur në rënie, për shkak të vështirësive që ka rritja e shpendëve që janë simbol i tryezës së fundvitit.
Mbarështimi i gjelave të detit po kthehet në problem, për shkak të kostove të larta dhe mungesës së mbështetjes nga shteti për fermerët e vegjël.
Këtë gjë e konfirmojnë fermerët e Peqinit, të cilët teksa morën pjesë në një panair lokal për gjeline detit, treguan se janë duke shkuar drejt falimentimit.
Fermerët shprehen se për shkak të kostove të larta të mbarështimit, është rritur dhe çmimi i gjelit, duke krijuar vështirësi edhe për tregtim.
Në këtë panair lokal, ishte i pranishëm edhe Presidenti i Republikës Bajram Begaj, i cili së bashku me zyrtarët lokal takoi disa fermerë të zonës.