Aktori Alfred Bualoti në një studio televizive foli për figurën e aktorit të mirënjohur Mirush Kabashi, njëherazi dhe mikut të tij të afërt, i cili sot u nda nga jeta në moshën 75-vjeçare.
Bualoti u shpreh se miku i tij Kabashi ishte dobësuar shumë nga sëmundja që e kishte prekur dhe ai nuk donte ta besonte këtë.
Ai zbuloi më tej se si figura e Kabashit ishte nderuar në shfaqjet që ai kishte dhënë jashtë Shqipërisë duke rikujtuar dy momente të veçanta.
Bualoti tha se momenti i parë kishte qenë pas një shfaqjeje në Kiev të Ukrainës, ku pasi mori vlerësimin e parë në festivalin e organizuar në kryeqytetin ukrainas, portreti i Mirush Kabashit u vendos në kartën telefonike të Kievit në shenjë nderimi.
Momenti i dytë ishte në Beograd ku gjatë një vizitë në kështjellën e kryeqytetit serb një spektator i shfaqjes që Kabashi kishte dhënë ditën e kaluar kishte hequr kapelen në shenjë nderimi ndaj tij.
“Mirushi ishte i fortë por këtë betejën e fundit nuk e fitoi dot. Ishte sëmundje e rëndë dhe e dobësoi shumë nga fuqitë. Nuk donte ta besonte, as ne nuk donim por kështu ishte. Mirushi është artist shumë i madh, i shquar dhe i talentuar boll. Kishte dy armë të fuqishme, punën dhe disiplinën dhe armën e talentit.
Unë kam qenë me Mirushin në shumë skena të Europës, në Paris, Beograd, Athinë dhe Kiev. Do përmend dy momente. Moment ii parë ka qenë në festivalin e Kievit ku Mirushi mori vlerësimin e parë dhe portreti i tij u vendos në kartën telefonik në Kiev në shenjë nderimi. Ishte e jashtëzakonshme.
Momenti i dytë ishte në Beograd, po ecnim pas shfaqjes dhe u futëm në oborrin e kështjellës së Beogradit. Përballë nesh një zotëri me kapele republike hoqi kapelen dhe u përul para Mirushit dhe iku prapë. Mirushi ngeli. Ai kishte qenë një spektator i shfaqjes një ditë më parë. Këto momente tregojnë forcën dhe simpatinë që krijonte Mirushi te spektatorët”, u shpreh ai.