Të dhënat nga “Instituti i Statistikave” tregojnë se është rritur përqindja e familjeve që kanë statusin pronar dhe të dhënat historike bëjnë me dije se shifra e vitit 2021 është më e larta që nga viti 2014-të.
Janë 93.8% e familjeve të cilat kanë statusin pronar ose janë duke u bërë pronar gjatë vitit 2021, ndërkohë që në vitin 2020 kjo shifër ishte 93.7%. Pra, nga të dhënat konkludojmë se pjesa më e madhe e banesave janë në pronësi të familjeve, ndërkohë sa i përket njësive ekonomike familjare të cilat jetojnë me qira, falas ose e kanë në përdorim banesën zënë rreth 6.2%.
Për të patur një analizë sa me të thelluar ‘Scan Intel’ e ka krahasuar këtë tregues me vendet e Europës. Të qenit pronar ose qiramarrës i një prone është diçka që ndryshon ndjeshëm midis shteteve të Bashkimit Europian. Në BE, në vitin 2021, 69.9% e popullsisë jetonte në një familje që zotëronte pronën, ndërsa 31% e mbetur jetonte në banesa me qira.
Nga analiza e të dhënave rezulton se Rumania dhe Shqipëria janë dy vendet e para në Europë të cilat kanë përqindjen më të lartë të personave që kanë status pronësie. Në Rumani janë 95.3% e familjeve të cilët kanë statusin pronar, ndërkohë që 4.7% rezultojnë të jenë me qira. Sllovakia, Hungaria dhe Mali i Zi ndjekin në renditje me përqindjet më të larta të pronësisë. Pothuaj në të gjitha vendet e Europës përqindja e pronësisë është më e lartë se përqindja e familjeve të cilat jetojnë me qira.
Pra, në të gjitha vendet zotërimi i një prone është më i zakonshëm, përveç Gjermanisë dhe Zvicrës. Në Zvicër janë 57.8% e familjeve të cilat jetojnë më qira dhe 42.2% kanë pronën në pronësi të tyre, ndërkohë në Gjermani janë me qira rreth 50.9% e familjeve. Të jetosh në një shtëpi ose banesë me qira nuk ndryshon vetëm në varësi të shteteve, por gjithashtu ndryshon edhe në varësi të shkallës së urbanizimit, përkatësisht nëse jeton në një qytet apo zonë rurale.
Nga ana tjetër, nëse shohim të dhënat vihet re se përqindjen më të lartë të pronësisë e kanë ato vende të cilat vijnë nga regjimet totalitare, pra vende të cilat psikologjikisht janë të lidhura ngushtë me pronën. Gjithashtu në analizën e këtij treguesi për Shqipërinë nuk mund të mos përmendim edhe informalitetin e lartë sa i përket deklarimit të personave të cilët jetojnë me qira, çka mund të ketë peshë në paraqitjen e këtyre shifrave.