Një i vrarë, dy policë të plagosur, shtatë të arrestuar dhe një i dyshuar në arrati është bilanci pas grabitjes së një argjendarie në Suharekë të Kosovës të ndodhur javën e kaluar
Grabitja u shënua më 22 nëntor 2023 dhe gjatë grabitjes autorët qëlluan me armë në drejtim të policisë duke plagosur një efektiv. Ndërsa sot (30 nento 2023) policia ndërmori një operacion në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Carralevë për arrestimin e të dyshuarve.
Gjatë operacionit të sotëm ka pasur shkëmbim zjarri dhe ka mbetur i vrarë njëri prej të dyshuarve për grabitjen e armatosur si dhe është plagosur një polic.
“Gjatë zhvillimit të operacionit policor, një i dyshuar ka shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë duke ua rrezikuar drejtpërdrejt jetën e tyre, me ç’rast është plagosur një zyrtar policor. Zyrtarët policorë në vetëmbrojtje janë detyruar të përdorin forcën proporcionale, duke arritur të neutralizojnë një të dyshuar. Deri më tani numri i të arrestuarve ka shkuar në shtatë persona, një i neutralizuar dhe një tjetër ende gjendet në kërkim policor.
Zyrtarit policor i është ofruar ndihma mjekësore në SHSKUK, ku sipas informatave të para nga mjekët kompetentë i njëjti është jashtë rrezikut për jetë, ” thuhet në njoftim.
Portali kosovar Insajderi shkruan se viktima është Dukagjin Gashi ndërsa vëllai i tij Korab Gashi, ka arritur të largohet dhe gjendet në kërkim policor.
Dukagjini dhe Korabi janë djemtë të ish-komandantit të UÇK-së, Zeqir Gashi, shkruan Insajderi.
Policia ka njoftuar se gjatë operacionit të sotëm janë arrestuar edhe katër persona të tjerë të dyshuar për grabitjen.
Deri tani shkon në 7 numri në total i të arrestuarve për grabitjen (4 të arrestuar sot dhe 3 të arrestuar më 22 nëntor ditën e grabitjes).
Njëri nga të arrestuarit u lirua më herët për mungesë provash, ndërsa dy të tjerëve u është caktuar masa e paraburgimit pasi dyshohet se kanë dhënë ndihmë në përgatitjen e planit për grabitje.
Operacioni i sotëm policor përfshiu kontrollin në shtatë lokacione të ndryshme në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Carralevë
Sipas Policisë, të dyshuarit kanë të kaluar kriminale për vepra si vrasje, grabitje, vjedhje e rëndë, sulm, kanosje, lëndim trupor, detyrim, armëmbajtje pa leje etj.