Gjykata e Lartë e Kalifornisë ka konfirmuar padinë ndaj gjigandit teknologjik Google, lidhur me diskriminimin e gjuhës shqipe, sa i takon mospërfshirjes së saj në gjuhët e mbështetura prej shërbimeve të Google.
Lajmin e kanë bërë të ditur vetë nismëtarët e kësaj padie, Neshad Asllani dhe Haki Dervishi, të cilët gjithashtu njoftojnë se kanë marrë një kërkesë për shtyrjen me 15 ditë të afatit të caktuar nga Gjykata, për t’i dhënë kompanisë Google kohën e duhur për përgatitjen e një përgjigje ndaj padisë për diskriminimin e gjuhës shqipe.
Këtë kërkesë, avokatët e Asllanit dhe Dervishit e kanë pranuar, duke e shtyrë kështu afatin deri më 18 dhjetor 2023.
“Sipas avokatëve, kërkesa nga Google dhe dakordimi për shtyrjen e afatit përafron edhe më shumë palët dhe krijon mundësi për dakordim final për këtë çështje të rëndësishme për të dy palët. Kjo marrëveshje e nënshkruar nga paditësit dhe i pandehuri Google për shtyrjen e afatit deri më 18 Dhjetor 2023, është dërguar në Gjykatën e Lartë të Kalifornisë”, thuhet në njoftim.
Sipas padisë, argumentohet se kjo mospërfshirje është një formë e diskriminimit që ka ndikime të mëdha në media, marketing, investime të huaja dhe zhvillim ekonomik dhe teknologjik në rajonin e gjuhës shqipe, përfshirë Shqipërinë, Kosovën dhe komunitetet shqiptare në të gjithë botën.
Sipas tyre, ky diskriminim ka bërë që folësit e gjuhës shqipe të jenë të përjashtuar nga shërbimet si Google Ads, Google Adsense dhe Google Admob.
Ata besojnë se ky përjashtim është një pengesë për zhvillimin e biznesit, marketingun dhe gazetarinë në gjuhën shqipe dhe po sjell ndikime negative në lidhje me të tjerët në botë.