Presidenti i SHBA-së Donald Trump është takuar me liderin e Koresë së Veriut Kim Jong Un në Singapor.
Bisedimet u zhvilluan kokë më kokë me praninë vetëm të përkthyesve. Takimi i nivelit të lartë në Singapor është i pari mes një presidenti në detyrë dhe një udhëheqësi të Koresë së Veriut.
Pas samitit, dy udhëheqësit do të kenë një drekë pune dhe një takim dy-palësh më të zgjeruar, ku do të jetë të pranishëm Sekretari i Shtetit Mike Pompeo, Shefi i Personelit të Shtëpisë së Bardhë John Kelly dhe Këshilltari për Sigurinë Kombëtare John Bolton.
Presidenti Trump do të mbajë një konferencë shtypi dhe mbrëmjen e së martës me orën lokale do të largohet nga Singapori.
Për të ndjekur takimin historik, në Singapor ndodhen rreth 5,000 gazetarë, por vetëm një grup i vogël reporterësh amerikanë dhe koreanoveriorë u lejuan të ndjekin momentin kur të dy udhëheqësit përshëndetën njëri-tjetrin.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës shprehen të kënaqura me ecurinë e bisedimeve dypalëshe me Korenë e Veriut.
Shtëpia e Bardhë konfirmoi për mediat se në disa çështje përparimi është i dukshëm dhe më i shpejtë nga sa e priste administrata e Donald Trump.
Koreja e Veriut ka dhënë sinjale se kërkon të ndryshojë historikun e marrëdhënieve me Uashingtonin, duke kërkuar hapjen e një kapitulli të ri.
Përpara takimit ministri i Jashtëm i Singaporit, Vivian Balakrishnan takoi veç e veç Presidentin Trump dhe më pas edhe Kim Jong-Un.
“Që të dy udhëheqësit duket plot vetëbesim dhe të gatshëm për të biseduar për gjithçka e pa komplekse me njëri-tjetrin”, ka deklaruar kryediplomati i Singaporit.
Balakrishnan zbuloi gjithashtu edhe se Singapori do të paguajë faturën e Kim Jong-un dhe delegacionit koreano-verior, që është strehuar në një hotel të vendosur në një zonë turistike, disa qindra metra larg delegacionit amerikan.
Uashingtoni e ka bërë të qartë se “Ne nuk tërhiqemi nga kërkesa jonë për një Gadishull Korean krejtësisht të çarmatosur nga armët bërthamore. Kjo i shërben paqes dhe sigurisë në Gadishull dhe në gjithë rajonin”, deklaroi Mike Pompeo.
Sinjalin se dëshiron që të normalizojë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara Kim Jong-un e dha pas takimit me homologun koreano-jugor, Moon Jae-in. Pak ditë pas këtij takimi, Peniani shkatërroi galeritë nëntokësore ku besohet se ka kryer gjashtë teste bërthamore.
Analistët ndërkombëtarë thonë se nga takimit mund të pritet një ndërprerje totale e programit bërthamor nga ana e Koresë së Veriut.