Edhe për vet atë ngjan me një ëndërr…që po bëhet realitet.
Shefqet Kastrati – president i Kastrati Group – ka zbuluar në një intervistë një plan tejet ambicioz që është rezervuar për Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.
Ai e përshkruan si “një lajm që ngjall shumë interes dhe ngjan si një ëndërr që ne po punojmë për ta bërë realitet”.
Bëhet fjalë për lidhjen direkte me Amerikën.
“Në muajin dhjetor nisim projektin për zgjatimin dhe riveshjen e pistës, e cila pritet të mbarojë në verë të vitit 2025, kur aeroporti do të jetë gati të mirëpresë avionët e mëdhenj transoqeanik”, ka treguar ai.
Sipas Kastratit, linja e parë që planifikohet të vendoset do të jetë Tiranë – New York.
Pas saj, do të vijohet me pasurimin e linjave të tjera drejt SHBA-ve, edhe drejt Kanadasë.
“Lidhja e drejtpërdrejtë me Amerikën do të ndikojë shumë në rritjen e turizmit edhe nga vizitorë përtej Atlantikut, por më e rëndësishmja, do të lehtësojë shumë vizitat e diasporës shqiptare në vendin e tyre”, ka thënë ai.
Po ashtu ka rrëfyer se entuziasmi i marrë prej shqiptarëve në Amerikë për këtë plan, “e ka kthyer në mision realizimin e kësaj ëndrre disa-vjeçare”.