Prokuroria e Posaçme nuk është pajtuar ditën e djeshme me vendimin e gjykatës së Apelit të Posaçëm që liroi nga qelia Jamarbër Malltezin të arrestuar për korrupsion e pastrim Parash në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit Partizani.
Për këtë SPAK do i drejtohet me rekurs Gjykatës së Lartë, ku do kërkojë rikthimin në burg të dhëndrit të Berishës, për të cilin gjyqtarja Ilirijana Olldashi, zbuti masën e sigurisë nga arrest në burg në arrest shtëpiak.
Referuar këtij vendimi, Malltezi urdhërohet të mos largohet nga banesa e tij dhe të mos komunikojë me persona të tjerë me përjashtim të atyre që banojnë bashkë me të.
“Kleçka” që mund ta rikthejë sërish në burg
Por ditën e martë pak orë pas lirimit nga qelia, Malltezi ka postuar një qëndrim të tijin në rrjetet sociale për të cilin SPAK po kryen verifikime, por të parë nëse po zbatohet ose jo vendimi i Gjykatës së Apelit, që ndër te tjera detyron Malltezin mos të ketë kontakte me asnjë person.
Kjo rrezikon t’i prishë shumë punë dhëndrit të Sali Berishës. Pasi ai nuk duhet të ketë komunikime me njerëz të tjerë. Nga ana tjetër analisti Enton Alibekaj tha se qëndrimi i Jamarbër Malltezit pas daljes së tij nga paraburgimi, me anë të statusit të tij, nuk ishte shumë korrekt.
Sipas Abilekajt, një reagim i tillë duket si një skemë për t’u mbrojtur politikisht ndërkohë që ai duhet të mbrohet në mënyrë civile, pasi reagimi politik e komplikon më tepër çështjen. “Nëse SPAK ata i ndjek në gjendje të lirë për ngjarje që ka ndodhur para pak vitesh, e për të cilën ata mund të përdorin pushtetin edhe për të prishur provat, nuk kanë arsye përse të mos veprojnë me një person i cili hetohet për një ngjarje të para 10 viteve ku nuk ka as pushtet dhe as prova për të prishur.
Reagimi politik, për mua vetëm sa e komplikon çështjen. Ne themi a kemi të bëjmë me një dosje politike? Uroj të mos kemi, kjo do duket hap pas hapi, por nëse subjekti sapo hetohet thotë, ky është hetim politik, kjo duket si skemë për t’u mbrojtur politikisht, në vend që të mbrohet si civil. Unë nuk do doja ta shikoja nga askush as nga zoti Berisha, deri në momentin që duket vërtet sikur ka një tendencë”, tha Abilekaj.
Lirimi i Malltezit
Po ashtu dhe gazetari Eni Ferhati është shprehur se është surprizuar nga vendimi i Gjykatës së Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për lirimin nga qelia të Jamarbër Malltezit. Ai tha se në letra Malltezi rrezikonte deri në 10 vite burg. Sipas tij avokatët e Malltezit dhe Berishës kanë përdorur si strategji kapjen procedurialisht të çështjes.
“Personalisht ishte një vendim surprizues, pa i hyrë detajeve të çështjes, vetëm nga fakti që Malltezi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash që në letër rrezikon deri në 10 vite burg, fakti që në të kaluarën për individë të tjerë, zyrtarë apo personazhe me ngarkesa politike nuk kanë pasur lehtësi në Gjykatën e Posaçme të Apelit, për mua ësht ësurprizues. Gjithë strategjia e avokatëve të Malltezit apo Berishës ka qenë një strategji për të kapur procedurialisht çështjen”, është shprehur Ferhati.