Ish drejtori i policisë, Erzen Breçani ka dalë këtë të enjte para gjykatës së bashku me tre të arrestuarit e tjerë, të akuzuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.
Ai ka deklaruar se nëse ndodhet në burg është për shkak të djalit të tij, i cili është shpallur në kërkim për trafik droge.
“Nëse jam në burg jam prej djalit. E kam këshilluar të mos merret me gjëra të paligjshme.
Nuk e di ça ka bërë, nuk kam prova me ça merret im bir. Vetë i kam shërbyer këtij shteti, ku kam vënë edhe jetën në rrezik”, ka thënë Breçani duke përmendur edhe aksionet policore dhe personazhet që ka arrestuar.
Katër të arrestuarit që do të dalin sot para gjykatës janë ish drejtori i policisë, Erzen Breçani, shefi i krimeve në komisariatin nr. 6 Dedian Gjoni, Besmir Murati dhe Bujar Ajeti. Ndërkohë gjashtë të tjerë janë shpallur në kërkim, mes të cilëve edhe djali i Breçanit si edhe Ervin Mata, emër i njohur për drejtësinë.
Këta persona akuzohen për një sërë veprash penale: “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve”, “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.