Komentatori Glenti Nallbani, analizoi suksesin fantastik të kombëtares shqiptare në emisionin “Elite Show”.
“Këtë vit ka ndodhur diçka e çuditshme, kanë ndodhur gjëra që ne nuk i imagjinonim dot, gjëra të jashtëzakonshme. Të godasin shqiptarët: me dy gjuajtje të bëjnë tre gola… Nuk ndodh kurrë.
Të kemi një sezon ku arbitrat nuk na hanë asgjë, as 1 cm, është e jashtëzakonshme. Të fitosh katër ndeshje me goditje nga 30 m, nuk ndodh kurrë. Çdo lojtar që fut trajneri bëhet yll.
Fut Dakun, i panjohur, yll. Mitaj, i panjohur, yll. Kthen Asanin nga Koreja e Jugut, yll. Ndodhën gjëra të çuditshme këtë vit. Unë them që ky vit nuk do të përsëritet më kurrë.
Nuk ka shans që Shqipëria të ketë këtë fat që ka patur këtë vit. Bashkohen shumë gjëra që nuk i kemi parë kurrë. 70 vjet, arbitrat e UEFA-s e kanë shkatërruar këtë vend. Nuk ka ndodhur asnjëherë një rast në favorin tonë.
Fatin është si ta kërkosh, por të bashkohen gjithë gjërat bashkë në një sezon të vetëm… Shqipëria të dalë në vendin e parë, të bëjë 11 gola, të bëjë 5 herë golat më të bukur të UEFA-s. Arbitrat që nuk na hanë asnjëherë hakun. Na japin gjithmonë atë që meritojmë, madje edhe më shumë.
Befas trajneri që nuk e njeh askush nëpër botë bëhet ndër më të kërkuarit, sot nga më të mirët në Europë. Ti luan pa Brojën dhe pa Kumbullën, nuk të nevojiten fare gjithë vitin.
Ta pranojmë dhe ta shijojmë! Nuk do të na ndodhë më kjo gjë. Mbajeni mend: do të filloni vitin tjetër në shtator. Do humbë ndeshjen e parë, më pas goditje… “, theksoi Nallbani.