Një portal lajmesh turk, Ahval, ka lëshuar akuza shumë të rënda ndaj presidentit turk Reçep Tayyip Erdogan dhe partisë së tij, AKP.
Në një lajm të publikuar në datën 10 qershor, Ahval, pretendon se disponon një kopje të një raporti shumë sekret të Qendrës së Analizës së Inteligjencës së BE-së, EUINTCEN, sipas të cilit atentatit vetëvrasës i 10 tetorit 20015 në Ankara, u krye nga kamikazë të Shtetit Islamik, të udhëzuar dhe kërkuar nga partia e Erdogan.
Media në fjalë shkruan se raporti është qarkulluar në datën 13 tetor, pra tri ditë pas atentatit që la të vrarë 109 njerëz dhe plagosi më shumës sesa 500 të tjerë, dhe në të përshkruhet dinamika e tij dhe nxirren konkluzione, shkruan Respublica.
Sipas pretendimeve të Ahval, raporti në fjalë evidenton faktin se tubuesit ishin kryesisht të majtë dhe simpatizantë të çështjes kurde, aty mungonte policia, autobuzët nuk u kontrolluan, çka çon në përfundim se atentati është kryer me dijeni dhe madje kërkesë të AKP-së së Erdoganit.
Atentati ndodhi pak muaj pas sulmit ndaj kudëve në Diyarabakir në 5 korrik dhe mbi një grup majtistësh në Suruç, të cilët planifikonin një marshim solidaritetit drejt Kobanit më 20 korrik.
Po kështu portali në fjalë sjell disa elementë të tjerë që shtojnë dozën e akuzës ndaj pushtetit aktual turk.
Konkretisht, në seancë gjyqësore për këtë çështje, mbajtur në nëntor 2017, u bë e ditur se policia ndaloi përgjimin e kamikazit të ISIS, Yunus Emre Alagöz 11 ditë përpara sesa vëllai i tij, Yusuf të kryente sulmin në Suruç dhe tre muaj përpara sesa të ndodhte sulmi në Ankara.
Po kështu, pas masakrës së tetorit, mjekëve iu deshën 44 minuta të mbërrinin në vendngjarje, ndërkohë që tri ambulanca që ndodheshin afër nuk kryen punën e tyre.
Akuza është shumë e rëndë dhe ajo priret të çojë ujë në idenë se politika antikurde e Erdogan ka qenë në themel të ndërhyrjeve të tij në Siri, në politikën e brendshme dhe madje duke mbajtur lidhje me ISIS.
Një arsye që jepet për këtë goditje që nëse provohet se është bërë me dijeninë e AKP-së është kriminale, janë edhe rezultatet e zgjedhjeve të qershorit 2015, të cilat i diktonin Erdogan nevojën e një krize.