Pas ngjarjes tragjike, ku kapiteni i Egnatias, Raphael Dwamena, humbi jetën në fushën e blertë pasi pësoi arrest kardiak, një tjetër lojtar ka pasur “fatin e keq” si të futbollistit ganez.
Sipas mediave të huaja mësohet se ish-portieri i Zimbabve, George Chigova, ka ndërruar jetë tragjikisht në moshën 32-vjeçare. Pasi pësoi një atak në zemër në muajin korrik, duke hequr për pak muaj dorë nga karriera e tij në fushën e blertë, 32-vjeçari vendosi të rikthehej, mirëpo një tjetër sulm në zemër do të rezultonte fatal për të.
Chigova është gjetur i pajetë në shtëpinë e tij në Afrikën e Jugut dhe sipas asaj që shkruajnë mediat e huaja, gjithçka ka ardhur pas një sulmi në zemër.
Klubi konfirmoi vdekjen e tij ditën e sotme, duke thënë: Me pikëllim të madh mësuam për ndarjen nga jeta të ish-lojtarit të SuperSport United, George Chigova.
George ishte një njeri i madh i klubit. Edhe pse koha e tij zyrtare me SuperSport përfundoi në qershor 2023, ai ishte një vizitor i rregullt në terrenin stërvitor dhe stadium për të mbështetur ekipin.
Ne përcjellim ngushëllimet tona më të thella për familjen dhe miqtë e tij si në Afrikën e Jugut ashtu edhe në Zimbabve gjatë kësaj kohe të vështirë dhe shumë të trishtuar. Shpirti i tij u preftë në paqe.
Portieri, i cili luajti në 32 ndeshje për Zimbabve, përfshirë edhe Kupën e Kombeve Afrikane, lë pas një histori të vërtetë suksesi në komunitetin e futbollit në Afrikë.