Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve kërkon nga institucionet që të marrin masa të menjëhershme dhe të ndalojnë menjëherë fenomenin “Ankandi fiktiv”. Në një komunikatë të shpërndarë për mediat, Dhoma deklaron se të dhënat janë publike për ta identifikuar këtë fenomen dhe se 61 bashkitë dhe 13 gjykatat e shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm posedojnë materialin e plotë të këtij fenomeni.
“Përmes kësaj komunikate kërkojmë të tërheqim vëmendjen e publikut, mediave, qeverisë shqiptare dhe të gjitha organeve ligjzbatuese në vend, mbi një fenomen shumë të rëndë që është përhapur dhe po rritet me shpejtësi sfiduese muajt e fundit: “Ankandi fiktiv”.
Në emër të “Ligjit” dhe Shërbimit Përmbarimor Privat, po abuzohet rëndë. Gjykatat dhe bashkitë në të gjithë Shqipërinë, janë dëshmitare të shpalljes fiktive të dhjetëra, qindra, llogaritet të mijëra ankandeve fiktive për shitjen e pasurive të paluajtshme të shqiptarëve.
Shumë qytetarë janë tronditur nga “ankandet” që u janë bërë pronave të tyre, pa asnjë njoftim, pa asnjë proces të rregullt përmbarimor dhe me çmime përtej edhe qesharakes. Dhjetëra prej tyre kanë konstatuar se pronat u janë tjetërsuar në Kadastër duke u marrë në pronësi nga shoqëri mikrofinanciare.
Kërkojmë të qetësojmë qytetarët dhe opinionin publik se, procedura e “ankandeve” të tilla, si dhjetëra shembujt që po sjellin bashkë me këtë komunikatë, është Fiktive, është një Mashtrim!” shkruhet në deklaratën e Dhomës së Përmbaruesve.
Dhoma e Përmbaruesve evidenton se me mijëra qytetarë janë mashtruar vitet e fundit. “Individë dhe familje të tëra shqiptare kanë kaluar deri në trauma psikologjike kur u është bllokuar çdo mjet jetese, paga mujore dhe çdo pasuri e mundshme prej disa mashtruesve të identifikuar publikë.
Shumë individë janë dorëzuar tek mashtruesit, sepse shteti nuk lëvizi! Familje të tëra janë detyruar të marrin kredi të reja për të shpëtuar lakun e shtrënguar për larjen e kredive/detyrimeve të vjetra. Skema e mashtrimit funksionoi perfekt, deri sa Sot po u rrëmbehen pronat!“, thuhet në deklaratë.