Lindur në Topojan, bjeshkët e të parëve të tij, nisi t’i promovojë në rrjetet sociale. Një filmim amatoresk i të riut kuksian Afrim Tahiraj u bë viral duke thyer rekorde shikueshmërie.
Pamja mahnitëse e kuajve të egër teksa vraponin të lirë në lëndinat e gjelbra ngjalli interesin e madh të turistëve vendas e të huaj, për t’u njohur me magjinë e Veriut të Shqipërisë. Këto lëndina shtrihen nga liqeni i Novosejës e deri te maja e Kallabakut dhe mund të përshkohen për 5 orë.
-Pse e quajnë Shtegu i Ngjyrave?
Afrim Tahiraj: E ka marrë emrin për shkak të shumëllojshmërisë së luleve, sepse sidomos në Qershor mbulohen pothuajse të gjitha lëndinat me lule.
-Me lule shumëngjyrëshe apo ka një tipologji lulesh?
Afrim Tahiraj: Janë lule të të gjitha llojeve.
Sipas Tahirajt, në zonë janë rreth 100 kuaj gjysmë të egër të cilët shumicën e kohës kullosin të lirë. Ai shton po ashtu se këto lëndina alpine janë më të mëdhatë në Evropë.
-Sa kuaj ka në këtë zonë?
Afrim Tahiraj: Unë mendoj se në këtë zonë ka mbi 100 kuaj.
-Që janë gjysmë të egër ë?
Afrim Tahiraj: Gjysmë të egër.
-Por ata kullosin në gjendje të lirë.
Afrim Tahiraj: Kur banorët kanë nevojë i marrin, por shumicën e kohës janë të lirë në periudhën që shkrin bora, në dimër i kthejnë prapë në fshat.
-Është e vërtetë që këtu janë lëndinat më të mëdha të Evropës?
Afrim Tahiraj: Në dijeninë time këto janë lëndinat më të mëdhaja, nisin nga këtu e deri në majat e Sharrit.Është vetëm njëra në Dolomite, por është me e vogël se kjo.
-Këto mund të jenë pllajat më të mëdha të Evropës ë? Dhe vishen me lule.
Afrim Tahiraj: Lëndina alpine flasim…Shtegu bëhet për 5 orë, por zakonisht bëhet 8 se është aq i bukur.