Trajneri i Shqipërisë U-19, Ervin Bulku, ka folur për Supersport lidhur me çështjen e lojtarëve shqiptar që luajnë për Kombëtare të huaja si Gruda, Hasa, Weiper, Ramaj, Blini, Zefi e Vata. Bulku zbulon se ftesa iu është dërguar të gjithë futbollistëve, por kanë marrë përgjigje negative.
“Kur mora Shqipërinë U-17 u informova nga shefi i skautëve, Sulejman Mema. I bëmë kërkesë Rokos (Vata) por në ato momente Rudi (Vata) u shpreh se djali është i vogël dhe ka kohë për të zgjedhur. Është zgjedhje e tij personale, por unë i uroj fat pas ndeshjes tonë.
Të gjithë lojtarëve, si Ramaj, Blini, Zefi, Weiper, Gruda, Hasa kanë qenë të gjithë të ftuar për t’u bashkuar me ne. Askënd nuk e detyrojmë, me shpirt dhe zemër duam që lojtarët të përfaqësojnë Shqipërinë.
Të gjithë lojtarët që luajnë në Europë, kush e ka dëshirën të luaj për ekipin Kombëtar, u është dërguar ftesë. Këta lojtarë janë kontaktuar të gjithë nga ne, por kanë vendosur të luajnë për Kombëtare të tjera, disa prej tyre kanë luajtur në miqësore me ne”, tha Bulku.