Komisioni i posaçëm i Apelimit ka marrë vendimin mbi kërkesën e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla për të mos hyrë në procesin e Vettingut.
Pasi komisioneri publik apeloi vendimin e KPK-së që ndërpriste procesin e vettingut për Llallën, KPA shqyrtoi rastin duke vendosur që ish-kryeprokurori të mos i nënshtrohet sitës së vettingut.
Komisioneri argumentoi se ish-Prokurori i Përgjithshëm pavarësisht dorëheqjes nga drejtësia, vazhdon të ketë statusin e magjistratit e për këtë arsye dorëheqja e tij nuk rezulton të jetë kryer siç duhet.
Si argument komisioneri solli shembullin e dy gjyqtarëve të dorëhequr pranë KLD gjatë vettingut.
Megjithatë, Kolegji i Posaçëm i Apelimit argumentoi se dorëheqja e Kryeprokurorit ishte sipas rregullave dhe Adriatik Llalla nuk do i nënshtrohet procesit të Vettingut.
“Janë përmbushur elementët e dorëheqjes nga detyra, pasi është zbatuar një prej rrugëve procedurale të legjislacionit në fuqi.
Kolegji çmon se vendimmarrja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ka qenë e drejtë dhe duhet konfirmuar.
Kolegji me shumicë votash vendosi ndryshimin e vendimit: ndërprerjen e procesit të rivlerësimit (vetingun) për Adriatik Llallën.
Ndalimin e emërimit të tij, gjyqtar, prokuror apo anëtar i KLD-së për një periudhë prej 15 vitesh”– thuhet ndër të tjera në vendimin e KPA.
Ndërkohë pas largimit të Llallës nga posti i kryeprokurorit, Departamenti Amerikan i Shtetit i ndaloi hyrjen e Adriatik Llallës dhe familjes së tij në Shtetet e Bashkuara, me argumentin se “ka informacione për përfshirje të tij në raste domethënëse korrupsioni”.
Gjithashtu Llalla po hetohet nga Krimet e Rënda për disa vepra penale; “Refuzimit për deklarim, mosdeklarimit, fshehjes ose deklarimi i rremë i pasurise, interesave private të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për për deklarim”, “Mosdeklarimit të shumave të të hollave ne kufi”, “Pastrimit të produkteve të veprës penale“ dhe “Shpërdorimit të detyrës”.