Një 34-vjeçar shqiptar është vrarë me armë zjarri në Itali. Ai është identifikuar nga policia italiane si Klaudio Myrtaj.
Sipas mediave italiane, shqiptari u gjet pasditen e djeshme (4 nëntor) me plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit në një punishte zdrukthtarie në zonën Cuneo, në via Umberto pranë bashkisë, ku ishte duke punuar. Një plumb 34 vjeçari e kishte marrë në kokë. Ai u dërgua në spital, por nuk mundi të mbijetonte.
Mediet italiane kanë zbardhur dinamikën e vrasjes e cila rezulton se ishte e planifikuar. Trupi i Myrtajt u gjet në punishten, ku ai herë pas here punonte, por askush nuk ka dëgjuar të shtënat e armës kur ai është qëlluar.
Nga dinamika, hetuesit deri më tani kanë zbuluar se autori ka përdorur një pistoletë me silenciator dhe priti deri sa të dilte nga punishtja pronari. Në këtë moment, vrasësi ka qëlluar shqiptarin, dhe më pas është larguar por është filmuar nga kamerat e zonës.
Kur është kthyer pronari i punishtes ka parë shqiptarin të shtrirë në tokë dhe ka lajmëruar menjëherë policinë. Policia ka marrë në pyetje disa persona si dëshmitarë, mes të cilëve edhe e dashura e 34-vjeçarit, pasi një nga pistat paraprake që dyshohet për vrasjen është xhelozia.
Shqiptari kishte shkuar në Itali para dy vitesh dhe punonte në kantiere ndërtimi rrugësh. Herë pas here bashkëpunonte edhe me një zejtar të zonës në Cuneo ku dhe u vra. Ai jetonte jo shumë larg vendit ku mbeti i vrarë.