Pas 22 vitesh, shkalla e papunësisë në vend ka rënë nën kufirin e 13%, konfirmojnë ditën e sotme të dhënat e publikuara nga INSTAT për tregun e punës.
Sipas anketës së punësimit, në tremujorin e parë të vitit, papunësia ka zbritur në nivelin e 12,5%, një përmirësim me pothuajse 1% krahasuar me tremujorin e mëparshëm dhe 1,7% më mirë, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.
Përshpejtimi i rritjes ekonomike, në sektorë kyç si turizmi, manifaktura apo ndërtimi, ka kontribuar në rritjen e ndjeshme të punësimit në vend gjatë tremujorëve të fundit.
Rritja ekonomike prej pothuajse 4%, e regjistruar në vitin 2017, ishte në fakt më e larta që prej vitit 2009.
Së bashku me shkallën e papunësisë është rritur edhe norma e punësimit, e cila për popullsisë 15-64 vjeç ka shkuar në 59,2% në tremujorin e parë të 2018-s, një rritje me 4,9% në terma vjetorë.
Cikli pozitiv në të cilin është futur ekonomia shqiptare reflektohet edhe në paga, me pagën mesatare që është rritur me 4,2%, krahasuar me një vit më parë.
Papunësia vjetore në vendin tonë ka njohur një rënie të pandërprerë që prej vitit 2014.
Që prej vitit 1996, papunësia në Shqipëri nuk shënonte një nivel kaq të ulët, edhe pse norma 12,4% e regjistruar në tremujorin e fundit të atij viti ndikohej artificialisht nga kapitali i madh i nxjerrë në qarkullim prej firmave piramidale.