Nga Reldar Deda
Në vendin tonë elitat janë korruptuar, mediat janë blerë, burrat dhe gratë e kanë parë të udhës që të merren me hallet e përditshme të familjeve të tyre, qytetarët nuk dinë të bëjnë asgjë tjetër, vecse të pajtohen me fatin e tyre të mjerë e të zhysin turinjtë në filxhanin e kafesë, a të rakisë, atëherë ndodh pikërisht një aksident i vogël: dikush i ”vjedh kokwn” opozitës.
Nisur nga ky fakt, kjo klasë politike, me të cilën personifikohet sistemi, ndihet papritur e vetmuar, e braktisur, e tradhtuar dhe si e tillë dalëngadalë përfundon në mjerim. Shkon tragjikisht drejt fundit të saj, sepse drejt fundit shkojnë të gjithë, edhe një klasë politike normale që e kupton kohwn kur i ka përfunduar. E cila nuk e pengon rotacionin dhe ciklin e vlerave.
I vetmi ndryshim mes një klase politike normale dhe jonormale është se ndërsa klasat politike normale largohen vetë, klasat jonormale i zbojnë. Dhe kur i zbojnë nuk e kuptojnë pse.
A nuk ishte i habitur Çaushesku me të shoqen teksa e fishkëllenin me mijëra “adhurues” të tij në një shesh të Bukureshtit, apo teksa e pushkatonin në një plevicë në një fshat të Rumanisë? Tradhtarë!,- u thoshte atyre që e pushkatonin. Po Hitleri në bunkerin e tij? Po Mubaraku, teksa e rrasnin në burg gjeneralët e tij bashkë me aleatët ndërkombëtarë? Po, Sadami i nxjerrë nga pusi teksa ia numëronin dhëmbët si të kalit?
A nuk ishte e habitur Nexhmije Hoxha teksa ia rrëzonin bustin mu në mes të sheshit burrit të vet ”udhëheqësit të pagabueshëm, legjendar”. Shembuj historia ka plot, por klasat politike autoritare nuk e lexojnë historinw, madje mendojnë se e bwjnë historinw. Ato nuk e lexojnë as realitetin, edhe pse ky i fundit jep vazhdimisht shenja pwr pwrkohshmwrinë e tij.
Ish-kryeministrit dhe kreut të ”Rithemelimit”, Sali Berisha po i ndodh e njëjta gjë. Në kohën që sapo kishte nisur të ndërtonte aksionin e tij opozitar në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, ndodh “aksidenti“… SPAK arreston dhëndrrin e tij, Jamarbër Malltezin për aferën “Partizani“. Arrestimi i tij e corientoi akoma edhe më shumë grupin parlamentar “berishist“, sa ka humbur logjikën duke krijuar një coroditje të madhe tek opinioni opozitar.
Pamjet e sotme në sallën e Kuvendit, ku deputet të lodhur nga boshësia e të vepruarit, të cilët shtyheshin mes sho-shoqit para kamerave të televizioneve, fishkëllenin dhe filmonin njëri-tjetrin ndërsa dhunoheshin nga dëshira për të qenë protagonist, teksa ndiznin flakadanë dhe brohorisnin në tribunë, janë fiksuar në mendjen e të gjithëve si agonia e një opozite të kalbur pwrballë një opinioni qytetar që prej vitesh u ka hequr vizën.
E pamë sot këtë klasë politike, bashkë me liderin e saj të frikësuar. Flisnin pa radhë dhe me gulshe, u mbahej fryma, shkurt në pikë të hallit. Një shfaqje të tillë e kemi parë disa herë, por sot ishin më të frikësuar se kurrë, më të vetmuar se kurrë, më të lodhur se kurrë. Ai grup deputetësh të shpupurishur përfaqësonte më tepër se askush tjetër pushtetin, në vend që ta luftonte atë.
Pushtetin e pashpagueshëm, të pandëshkueshëm hë për hë, në format më të maskuara, në mënyrat më të justifikueshme, atë pushtet që, herë në emër të atdheut dhe herë në emër të shoqërisë, herë në emër të ligjit dhe të qytetarisë, herë në emër të rregullit dhe të drejtësisë, herë në emër të demokracisë dhe revolucionit, na komandon, na kërcënon, na budalleps, na e shkërdhen nënën.
Por ky pushtet nëse nuk sulmohet, nëse nuk pengohet dhe i lihet fusha e lirë të veprojë dhe të joshë gazetarët e televizioneve dhe portaleve, nëse nuk i vihet një barrierë dhe nëse nuk i tregohet ana tjetër e medaljes, ky pushtet, mund të na kollofisë ashtu sic kollofit gjarpëri hardhucat tek i gjuan buzë kënetash.
Deputetët e PD-së zyrtare dhe vecanërisht kreu i saj duhet ta kuptojë se është e kotë të përpiqesh ta vrasësh me ushtën e Don Kishotit, sepse një pushtet i tillë lind prap prej kufomës së vet, mbase me një fytyrë tjetër dhe mënyrë tjetër të foluri. Nëse nuk i dilet përballë, ai thjesht lind dhe na thotë se ka ardhur në këtë botë sipas ”vullnetit të popullit”.
Ka ndodhur gjithmonë kështu, do të ndodhë gjithmonë kështu.
PD-ja zyrtare duhet ta kuptojë se ka ardhur koha ta luftojë, t’i dalë përballë dhe të kap fushën e lojës, ose përndryshe ky pushtet, nëse nuk e lufton, nëse nuk e denoncon, nëse nuk ia cjerr maskën, mbretëria e tij merr përmasa të papërshkrueshme. Në të vërtet ai është një pushtet lakmitar, nuk i mjafton kurrë cfarë ka, përfiton prej cdo armëpushimi, prej cdo shenjë lodhjeje, dorëzimi.