Prokuroria e Durrësit kërkon të lirohen 8 të arrestuarit e incidentit të ndodhur fundjavën e kaluar në fshatin Shetaj te Kepi i Rodonit, ku 4 banorë të zonës dhe 4 persona të tjerë u konfliktuan mes tyre për rrethimin e një sipërfaqeje toke prej 5.4 dynym (5400 m2).
Sipas “Ora Neës”, organi i akuzës kërkon të vendoset masa “detyrim paraqitje”. Mes të arrestuarve është dhe ish-deputeti kristiandemokrat ish-pjesë e mazhorancës, Mark Frroku.
Megjithatë, Prokuroria e Durrësit ka kërkuar nga gjykata vendosjen e masës “arrest me burg” për Besnik Tomën, shoferin e Frrokut, pasi akuzohet se ka përdorur pistoletë ditën e ngjarjes duke qëlluar në ajër. Vetë Frroku deklaroi pas arrestimit se ai dhe 3 bashkëpunëtorë të tij janë sulmuar fizikisht nga 4 banorët e fshatit Shetaj.
Ai pretendoi se është kontraktuar nga Kisha Françeskane për të bërë rrethimin me mur të tokës. Por, kjo histori duket akoma më e ndërlikuar, jo vetëm për pronësinë, por dhe për palët e përfshirë, pasi përveç banorë të Shetajt, Kishës Katoike, është shfaqur dhe kompania “Albania Tourist Resort”. Kjo e fundit pretendon se ka kontratë qiradhënie me Kishën Katolike dhe se SPAK e ka bllokuar tokën për shkak të problemeve të pronësisë.
Por, ditën e djeshme Enti Fetar, Provinca Françeskane “Zoja Nunciatë” deklaroi se as Mark Frroku dhe as administratorja e “Albania Tourist Resort”, Ana Shtjefni nuk janë përfaqësues të tyre. Madje, toka në fjalë, sipas tyre nuk i takon Kishës Françeskane, por vetë entit të tyre.
Akuzat nga policia ndaj 8 të arrestuarve te Kepi i Rodonit
Bajram Kaçuli, Erjon Reka, Orgito Reka dhe Ylli Reka, banorë të fshatit Shetaj akuzohen për “Plagosje e rëndë me dashje” dhe “Vetëgjyqësia. Mark Frroku dhe mbështetësit e tij Antonio Lazari, Martin Lazeri dhe Pal Doda akuzohen për “Kanosja”, “Moskallëzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike.