Drejtësia e re pritet të sjellë të dridhura në politikën shqiptare, pasi sinjalet që vijnë nga Uashingtoni do të shkaktojnë “prerje kokash” në nivele të larta në Tiranë.
Të rrezikuarit kryesorë janë Sali Berisha, Ilir Meta, Edi Rama dhe bashkëpunëtorët e tyre në aferat që kanë shkaktuar për t’u pasuruar duke vjedhur e grabitur taksat e shqiptarëve. Amerikanët kanë marrë në dorë situatën e luftës antikorrupsion në Shqipëri dhe ditët e javët në vijim pritet të sjellin zhvillime të forta.
Një grup prej 10 prokurorësh të posaçëm, udhëhequr nga kreu i SPAK, Altin Dumani ndodhen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një sërë takimesh e trajnimesh.
Nga ana e SPAK nuk ka një njoftim zyrtar për këtë vizitë, por Ambasada Amerikane ka reaguar dje në rrjetet sociale duke shkruar se prokurorët po marrin pjesë në një vizitë studimore në Uashington gjatë kësaj jave. Në këtë vizitë, prokurorët e SPAK shoqërohen nga përfaqësues të OPDAT-it amerikanë në Tiranë.
Sipas njoftimit, ata janë takuar me drejtues në Departamentin e Drejtësisë dhe me përfaqësues të Programit Amerikan të Trajnimit të Investigimeve Kriminale, ICITAP. Pjesë e diskutimeve, thotë Ambasada Amerikane, ishin edhe sfidat e sigurisë, që prokurorët e SPAK e trajtuan me Shërbimin e Marshallëve të SHBA, që është shërbimi përgjegjës për mbrojtjen e gjykatësve e prokurorëve federal, stafit të gjykatave dhe të dëshmitarëve.
Pra amerikanët po ‘mësojnë’ prokurorët e SPAK si të mbrohen nga kërcënimet duke dhënë sinjale se pas ardhjes së tyre në Shqipëri pritet të goditen të “paprekshmit” që gjithmonë kanë shpëtuar nga shantazhet e kërcënimet ndaj drejtësisë. Pjesë e vizitës së SPAK do të jenë edhe takime në Departamentin e Shtetit, me përfaqësues të DEA-s dhe me ata të FBI-së.
Prapaskenat
Pjesë e delegacionit të SPAK është Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai, dy prokurorët që po hetojnë dosjen e Sali Berishës, dhëndrit Jamarbër Malltezi për aferën e privatizimit të ish kompleksit Partizani dhe aferën e pastrimit të parave ku shfaqet Ilir Meta. Por aty është dhe Altin Dumani, i cili po merret personalisht me dosjen e “Gërdecit”. Pra si fillim SPAK pritet të plotësojë me informacion nga amerikanët dosjet që kanë në duar dhe që janë drejt fundit të hetimeve.
Çfarë paralajmëroi Dumani pak javë më parë?
Altin Dumani gjatë një konference me gazetarët pak javë më parë zbuloi se SPAK po kërkon informacione nga amerikanët, madje ai specifikoi dosjen e Gërdecit që mban emrin e Berishës dhe atë të pastrimit të parave që mban emrin e Ilir Metës.
Po ashtu me fraksionin e dosjes “Gërdeci”, Dumani tha se SPAK konfirmon se po kryhen të gjitha verifikimet e mundshme dhe se janë nisur drejt SHBA-ve letërporosi dhe se po bashkëpunohet me këtë shtet. Dumani ishte më specifik kur foli për Metën. “Jemi në pritje të një letërporosie tjetër nga SHBA-ja, siç është ajo ndaj ish presidentit Ilir Meta dhe anëtarëve të familjes së tij”, theksoi Dumani.
SPAK pritet të sjellë një tjetër dosje për Berishën
Por përveç këtyre dosjeve, veçanërisht Sali Berishës, mund t’i shtohen të tjera telashe. DASH në raportin më të fundit, atë për Klimën e Investimeve në vend, ku një seksion i posaçëm i dedikohet sigurisë dhe dhunës politike në Shqipëri përmend ish-liderin demokrat dizenjuar “non grata” nga SHBA-të për korrupsion madhor që përpiqet të kthejë përmbys me dhunë selinë e partisë së tij.
Si shembull të dhunës politike, DASH sjell Sali Berishën, të cilit i rikujton gjithashtu se në 21 Janar 2011, teksa ai qëndronte në zyrën e Kryeministrit, Garda e Republikës vrau 4 protestues. Pra dosja e tij sa vjen dhe shtohet dhe listës i është bashkuar dhe dhuna në selinë blu.
DASH me zbardhjen e këtyre akuzave i tregoi autoriteteve shqiptare rrugën për të nisur hetimet ndaj “non gratës”. Kjo vizitë e SPAK në Uashington mund të jetë dhe rasti që ata të marrin çdo provë që disponojnë amerikanët për 21 janarin pasi Berisha u kujdes që në Shqipëri të fshijë serverat për të mbuluar çdo gjurmë të tij.