Parlamenti malazez zgjodhi të hënën në postin e kryetarit Andrija Mandiç, një ish-drejtues të koalicionit politik pro-serb dhe pro-rus në Mal të Zi.
SHBA dhe BE e kundërshtuan hapur zgjedhjen e politikanit Mandiç në krye të Parlamentit të Malit të Zi duke e cilësuar atë si kundërshtar të orientimit pro-perëndimor të vendit. Zgjedhja u mundësua nga votat e 49 deputetëve të shumicës së re parlamentare partia e tij Europa Tani, deputetët demokratë, Partia Popullore Socialiste dhe dy koalicionet shqiptare, Alternativa Shqiptare dhe Forumi Shqiptar.
Deputetët e Partisë Demokratike të Socialistëve të ish-Presidentit Milo Gjukanoviç, që tani janë në opozitë, braktisën votimin. Mandiç u propozua në këtë post në bazë të një marrëveshje politike që i mundëson qeverisjen e Milojko Spajiç, i cili ka marrë mandatin. Në bazë të kësaj marrëveshje, ish-Fronti Demokratik, mori postin e kryetarit të parlamentit. Por veç protestave, për të ka edhe telashe të tjera.
Ai posedon në mënyrë të paligjshme shtetësinë serbe, shkruan “Pobjeda”, për shkak se e ka marrë në vitin 2009, pasi Mali i Zi shpalli pavarësinë. Sipas ligjit malazez për shtetësinë, ai humb automatikisht shtetësinë malazeze dhe nuk mund të jetë kryetar i Kuvendit të Malit të Zi.
Në certifikatën e nënshtetësisë të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë për Mandiç, të publikuar nga Alternativa Crna Gora, thuhet se ai është shtetas i Republikës së Serbisë dhe se “është i regjistruar në regjistër të qytetarëve në zonën e vendbanimit Stari Grad për vitin 2009, me numër rendor aktual 1229”. Mali i Zi ka kërkuar konfirmim nga Serbia që në korrik, po nuk ka marrë përgjigje.