Një anije me mbi 600 emigrantë të shpëtuar në Detin Mesdhe, e që janë në bordin e anijes Aquarius, ende nuk e di se cili do të jetë fati i tyre, pasi Italia dhe Malta refuzuan që ata të zbresin nga anija në territorin e tyre.
Ministri i ri i Brendshëm i Italisë ka refuzuar t’u vijë në ndihmë e nuk ka lejuar zbarkimin në shtetin e tij të mbi 600 emigrantë të nisur nga brigjet e Libisë.
Ministri Matteo Salvini, njëkohësisht zv/kryeministër dhe kryetari i Lega Nord ka deklaruar se i takon Maltës që të ankorojë anijen me emigrantë, e t’i lejojë ata të zbresin.
“Nga sot edhe Italia do t’i thotë “jo” kontrabandës me njerëz dhe biznesit të paligjshëm të emigracionit,”- shkroi Salvini në Facebook, duke shtuar në një postim tjetër – “Malta s’pranon asnjë. Franca i nxjerr nga kufiri i saj emigrantët, Spanja mbron kufirin me armë”.
Pak pas marrjes së detyrës së ministrit të Brendshëm Salivini deklaronte se “Për klandestinët mbaruan kohët e bukura. Tani duhet të bëjnë gati valixhet. Me qetësi, por duhet të ikin”.