Gjykata ka konfirmuar masën e sigurisë ‘detyrim paraqitje’ dhe ndalim për daljen jashtë Shqipërisë për ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili është nën akuzë nga SPAK për korrupsion pasiv për aferën e privatizmit të ish- kompleksit ‘Partizani’.
Në fund të seancës sipas vendimit të GJKKO: -Urdhërohet shtetasi nën hetim Sali Berisha, të paraqitet të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, ora 10:00 para oficerit të policisë gjyqësore Adelajda Metaj, pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
-Urdhërohet shtetasi nën hetim Sali Berisha të mos largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë pa autorizimin e gjykatës, në referim të nenit 233 pika 1 të K.Pr Penale “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”.
-Ndalohet përdorimi i pasaportës dhe dokumenteve të tjera identifikuese të vlefshme për daljen jashtë shtetit, për shtetasin nën hetim Sali Berisha.
Seanca për njoftimin e masës së sigurisë ndaj ish-kryeministrit nisi në orën 15:00. Shtyrja u bë paraditen e sotme, për t’i dhënë kohë për t’u njohur me dosjen, avokateve të zgjedhura nga shteti, Jalldiz Kastrati dhe Rabije Cenalia, pasi mbrojtësit e pajisur me prokurë nga Berisha braktisën gjykatën një ditë më parë ndërsa avokati i caktuar kryesisht, Artan Simoni u zëvendësua. GJKKO njoftoi se zgjedhja e dy avokateve u bë pasi Berisha dhe avokatët e tij nuk janë paraqitur as ditën e sotme në seancë.
Nga ana tjetër, mbrojtja e Sali Berishës depozitoi në GJKKO kërkesën me shkrim për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga gjykimi për ish-kryeministrin duke pretenduar se ajo ka shkelur Kushtetutën pasi sipas tyre duhej marrë më parë leje në Kuvend para se të jepej vendimimi “detyrim paraqitje” për Berishën. Këtë kërkesë të Berishës e ka shqyrtuar dhe rrëzuar brenda ditës gjyqtarja Flora Hajredinaj, e cila nuk e ka përjashtuar Gjokën, me argumentin se kërkesa e avokatëve të Berishës është e pabazuar.
Ish-kryeministri Berisha është lënë në detyrim paraqitje dhe ndalim për dalje jashtë shtetit, pasi hetohet për korrupsion me privatizimin e ish-kompleksit Partizani. Një ditë më parë, avokatët u larguan nga seanca me argumentin se Gjykata ka rrëzuar disa kërkesa që ata kanë bërë, përfshirë përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga gjykimi i çështjes dhe mospranimin e kërkesës për ta dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese për interpretimin e vendimit për masën “detyrim paraqitje” për ish-kryeministrin. GJKKO caktoi avokatin Artan Simoni, por pas sulmit të Shkëlzen Berishës ai u zëvendësua me dy avokatet e tjera.
Akuzat
Në dosjen “Partizani” Jamarbër Malltezi akuzohet për “korrupsion pasiv” dhe “pastrim parash”, ndërsa Sali Berisha vetëm për “korrupsion pasiv”. Ndërtuesi Fatmir Bektashi akuzohet për ‘korrupsion aktiv’ dhe ‘pastrim parash’ . GJKKO vendosi të lërë në burg Jamarbër Malltezin, dhëndrin e Sali Berishës, si edhe detyrim paraqitjeje për ndërtuesin Fatmir Bektashi.
Malltezi dyshohet se ka kryer korrupsion pasiv në bashkëpunim me vjehrrin e tij Sali Berisha, duke shfrytëzuar pushtetin e tij si kryeministër, duke përfituar nga privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, nga ndryshimi i destinacionit nga zona sportive në zona banimi, shuma të konsiderueshme në cilësinë e investuesit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar në të, si dhe përfitime të marra para se të deklarohej si bashkortak në këtë shoqëri.
Ndërsa në bashkëpunim me ndërtuesin Fatmir Bektashi, Malltezi dyshohet se ka kryer pastrim të produkteve të veprës penale, duke u paraqitur si investitor në punimet për ndërtimin e bllokut të banesave, ndërkohë që nuk rezulton të ketë investuar, duke kryer veprime financiare, transaksione të copëzuara, apo në kesh, për të fshehur origjinën dhe për të përfituar në mënyrë të paligjshme shuma deri mbi 5 milinë euro.
Nga ana tjetër edhe Bektashi dyshohet se ka kryer korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë në bashkëpunim me Malltezin, duke i dhënë atij përfitimeve të paligjshme në shuma të mëdha, me qëllimin e përbashkët për të bërë ndërtime në terrenet sportive. Ai dyshohet se në bashkëpunim me Malltezin kanë kryer pastrim të produkteve të veprës penale teksa kanë fshehur origjinën e vërtetë të përfitimeve monetare të parregullta të Malltezi, duke i paraqitur ato si të ardhura te ligjshme nga biznesi.