I informuar rreth zhvillimeve të fundit në SPAK për dy dosjet e tij penale më të nxehta, lobimi dhe CEZ-DIA, Ilir Meta dyshohet se është arratisur nga frika e një arrestimi të mundshëm.
Prej dy javësh, Ilir Meta nuk është parë as tek selia e LSI-së me emër të ndryshuar, as te Kodra e Diellit, as te Vila në Gjirin e Lalzit.
Ka dyshime të forta se Ilir Meta mund të jetë arratisur në Gjermani, për të kërkuar azil, por mund të jetë zhvendosur edhe në Hundari tek miqtë e tij Viktor Orban dhe Nikola Gruevski, por ndoshta ia ka mbathur edhe jashtë kontinentit evropian.
Prej dy muajsh çifti Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, me disa llogari të hapura në SPAK, është tërhequr nga beteja politike, për t’u marrë me hallin e madh perosnal.
Ndryshe nga Sali Berisha, Ilir Meta nuk ka kurrfarë imuniteti përballë një kërkesa të mundshme të SPAK për ta arrestuar.
I vetmi ‘imunitet’ i Metës është t’ia mbathë si bashkëpuntori dhe dobësia e tij, Arben Ahmetajt, edhe pse gjatë 5 viteve në krye të Presidencës është përpjekur të krijojë imazhin e një partizani që lufton tek Mali me Gropa kundër bombarduesve amerikanë, Soror dhe çdo ‘armiku’ sipas kokës së tij.
Prapaskena mëson se në SPAK janë përgatitur letrat për dy masa sigurie arrest me burg për Ilir Metën.
Bëhet fjalë për dosjen e CEZ-DIA e kopsitur nga kreu i SPAK-ut, Altin Dumani si dhe për dosjen e lobimit me para të pista në SHBA, aferë kjo e zbërthyer nga prokurori Sotir Kllapi.
Nuk dihet se cili do të paraqesë përmbledhjen e dosjes në Gjykatën e Posaçme, për të kërkuar arrestimin e Ilir Metës, Altin Dumani apo Sotir Kllapi.
Janë konfirmuar me letërporosi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës se Ilir Meta ka shpenzuar qindra mijëra euro për lobim në vitet 2016-2017, para të cilat nuk u dihet burimi, pasi nuk janë deklaruar as në KQZ dhe as në ILDKPKI.
Ka pasur një tentativë të Metës për të bërë ‘kurban’ Petrit Vasilin dhe Endrit Braimllarin për dosjen e lobimit, por asnjëri nuk ka pranuar të bëjë burgun për Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin.
Hetimet mësohet se kanë treguar se Ilir Meta është koka e aferës së lobimit, ndërsa paratë besohet se burojnë nga aferat korruptive kur Meta ishte pjesë e qeverisjes.
Ndërkaq, zbulime suprizë priten nga roli i Ilir Metës në aferën CEZ-DiA. Disa fakte, dëshmi dhe rrethana tregojnë se Ilir Meta është njeriu që fshihet pas aferës CEZ-DIA.
Ismailaj-Mataj të kompanisë DIA, njerëz të afërt të Ilir Metës
Dy njerëzit kryesorë të kompanisë DIA, Kastriot Ismailaj dhe Elvis Mataj, i pari administrator i kompanisë i dënuar me 11 vite burg, dhe i dyti drejtor ekzekutiv i DIA-s, ishin njerëz të besuar dhe të afërt të Ilir Metës. Kastriot Ismailaj kishte hyrje-dalje familjare me Ilir Metën dhe një raport financiar të dyshimtë. Nga ana tjetër, Ilir Meta i kishte besuar në vitin 2005 Elvis Matajt drejtimin e LRI, forumit rinor të partisë së tij, forum për të cilin Meta është krenuar gjithmonë.
Akuza në arbitrazh: Meta mori ryshfet nga Ismailaj
Avokatët që përfaqësonin OSHEE-në në arbitrazhin ndërkombëtar në Vjenë, pretenduan se kishin prova që Ilir Meta kishte ryshfet nga biznesmeni i akuzuar për mashtrim dhe pastrim parash, Kastriot Ismailaj. Zyra ligjore e kontraktuar nga OSHEE-së për t’u mbrojtur në çështjen me DIA-n, Clifford Chance pretendoi se Meta ka qenë një nga përfituesit e pagesave prej miliona eurosh, të përfituara nga kompania e mbledhjes së borxheve DIA, prej CEZ Shpërndarje gjatë viteve 2010 dhe 2011.
Brenda transfertave [përfituesve] të lekëve që DIA mori nga CEZ Shpërndarje ishin…politikanë të rëndësishëm shqiptarë, përfshirë një ish kryeministër i proceduar për korrupsion…si dhe një zyrtar i ERE,” shkruan Clifford Chance në ankimimin e saj në gjykatë. Më pas, pas presionit politik të ardhur nga Tirana, Clifford Chance i tërhoqi akuzat ndaj Metës.
Jozef Hejsek: Ismailajn na e rekomandoi Ilir Meta
Jozef Hejsek, ish-shefi ekzekutiv i CEZ, ka deklaruar se Ilir Meta kishte rekomanduar Kastriot Ismailajn si “njeriun e tij të besuar” për mbledhjen e borxheve të vjetra për llogari të CEZ Shpërndarje. Jozef Hejsek ka dëshmuar se Ismailaj u trajtua si njeriu i qeverisë shqiptare për mbledhjen e borxheve të vjetra, pasi u prezantua si aleati i ngushtë i ministrit të Punëve të Jashtme në atë kohë, Ilir Meta dhe i ish-kryeministrit Sali Berisha nga ambasadori shqiptar i asaj kohë në Pragë, Qazim Tepshi.
Jozef Hejsek ë bëri këtë dëshmi më 26 tetor 2014 në Pragë për llogari të avokatëve të studios ligjore të OSHEE-së, Clifford Chance, në kuadër procesit të arbitrazhit që po zhvillohej në gjykatën e Vjenës, ku kompania e Kastriot Ismailajt, Debt International Advisory, kërkonte 130 milionë euro dëmshpërblim për prishjen e kontratës nga OSHEE, pas largimit të CEZ. Hapja e procesit penal në Tiranë detyroi Kastriot Ismailajn që të tërhiqej nga arbitrazhi.
Dritan Prifti: Meta udhëtoi në Çeki për kontratën CEZ-DIA
Dritan Prifti, një nga njerëzit më të afërt të Ilir Meta, më pas armiku i tij më i përbetuar, ka rrëfyer se Meta ka udhëtuar pati udhëtuar në Çeki për të negociuar kontratën për Kastriot Ismailajn, të cilin e konsideronte si një person me dosje. “Ideja ishte që CEZ kishte 200 milionë euro borxhe të pa mbledhura dhe, nëse ai i mblidhte ato, merrte gjysmën”, tha Prifti. Ish ministri i Energjetikës e bëri këtë deklaratë 4 vite para se të plase skandali. Në vitin 2015, Prifti ka dhënë edhe një dëshmi në prokurori për lidhjet e Metës me Kastriot Ismailajn. Prifti tha se kanë marrë para nga Kastriot Ismailaj edhe 5 deputetë të LSI-së.
“Nga llogaria e DIA-s kanë shkuar para drejtpërdrejt për persona që sot janë deputetë të LSI-së. Një prej tyre është deputeti i Shkodrës Agron Çela. Nga DIA kanë shkuar para për kompaninë e Agron Çelës që sot është deputet i LSI-së, për arsye se do të bliheshin ca makina, ca motora që nuk u blenë kurrë, por para që kuptohet janë përdorur pastaj për fushatën zgjedhore të vitit 2011-të”, tha Prifti.
Gruaja e Ismailajt: Meta vinte në shtëpinë tonë, na bënte presion
Gruaja e Kastriot Ismailajt, Vojsava, ka rrëfyer lidhjet e forta mes Ilir Metës dhe bashkëshortit të saj. Ajo ka treguar për vizitat familje dhe SMS-të që Meta i nisi Kastriot Ismailajt. “Ilir Meta dhe bashkëshortja e tij, Monika, shpesh herë vinin në shtëpinë tonë….Mjafton që të shohësh SMS-të që Ilir Meta i dërgonte Kastriotit në vitet 2010, 2011 dhe e kupton lehtësisht këtë. Kastrioti ka qenë gjithashtu shpesh nën presion për të dhënë para nga bizneset e tij, për të ushqyer fushatat elektorale”, tha ajo. Pas këtyre deklaratave, Vojsava nuk pranoi të shprehej më për media, pasi kishte marrë kërcënime serioze.
Berisha: Meta shfrytëzoi postin zyrtar për xhepin e tij
Në shtator të vitit 2015, Sali Berisha deklaronte në Parlament se Ilir Meta nuk kishte pasur asnjë tagër për të negociuar kontratën CEZ-DIA në Pragë. Duke besuar dëshminë e Jozef Hejsek, Berisha i bëri thirrje Prokurorisë që të merrte menjëherë nën hetim Metën, i cili i ka mohuar gjithnjë akuzat. “Një dëshmi tjetër vjen nga ish administratori i CEZ se Ilir Meta si Ministër i Jashtëm e ka takuar në Pragë dhe ka negociuar me Hajsek për Kastriot Ismailajn, duke shfrytëzuar kështu postin zyrtar dhe mashtruar për interesin e xhepit të tij. Deklaroj këtu me përgjegjësi të plotë se Ilir Meta si Ministër i Jashtëm nuk ka pasur tagër për të negociuar me CEZ për asnjë lloj problemi. I bëj thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të nise hetimin e menjëhershëm për Ilir Metën për këtë aferë korrupsioni ndërkombëtar. Ju bëj thirrje qytetarëve shqiptarë të mos pajtohen kurrë me qëndrimin e oligarkëve Rama-Meta që duan me imunitet të bllokojnë drejtësinë”, tha Berisha.
Meta mesazh Ismailaj: Dua urgjent 200…, mos harro
Në qershor të 2019, Shqiptarja.com publikoi një investigim, ku Ilir Meta, një ditë para zgjedhjeve te 2009, i kërkon me urgjencë Kastriot Ismailaj një shumë prej 200 mijë euro. Një ditë para zgjedhjeve parlamentare në 22 qershor 2009, Meta i thotë Kastriotit në orën 17:57 me një SMS me tekst: “Nesër në darkë duhet të takohemi patjetër. Më duhen 200 mijë patjetër. Mos harro”. Mesazhi doli në pah nga një dosje e prokurorisë për krimet zgjedhore. Gjatë përgjimeve, doli në skenë Kastriot Ismailaj. Mesazhi konfirmonte për një raport financiar mes Kastriot Ismailajt dhe Ilir Metës.
Kastriot Ismailajt udhëtime jashtë vendit me njerëzit e ngushtë të Metës dhe Shkëlzenin
Referua sistemit TIMS, Kastriot Ismailaj ka udhëtuar jashtë vendit jo vetëm me Ilir Metën, por edhe me njerëzit më të ngushtë të Metës. Djali i hallës së Monika Kryemadhit, Majlind Lazimi, ish drejtor i Postës kur LSI-ja ishte në pushtet dhe më pas këshilltar i Ilir Metës në Presidencë, ka udhëtuar jashtë vendit me Kastriot Ismailajn. Gjithashtu, gjatë viteve 2009-2011, Ismailaj ka udhëtuar shpesh me Shkëlzen Berishën nga Tirana për në Vjenë dhe anasjelltas nga Vjena në Tiranë. Kryeqyteti vjenez njihet si tranzit për në Pragë të Çekisë, ku dyshja pretendohet se ka zhvilluar tratativa me kompaninë CEZ si për privatizimin ashtu dhe për përfitime të mëtejshme nga kontrata me shtetin shqiptar.