Brenda dy javëve pritet të trondisë politikën shqiptare një ‘tërmet’ tjetër, i ngjashëm në magnitude me ‘termetin’ që ra në konakun e Sali Berishës…
Kur dhëndrit të Sali Berishës, Jamarbër Malltezit ju vunë prangat në aeroportin e Rinasit, kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ndodhej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një vizitë zyrtare.
Vetë Berisha, ka qenë i sinjalizuar si për mbylljen e dosjes nga ana e SPAK për klubin Partizani, për dërgimin e saj në GJKKO, ashtu dhe për masat që mund të merreshin.
Ndaj ndodhi zhurma e së enjtes në Parlament, për të treguar se ai është në dijeni të faktit. Kështu qarqet e shërbimit informativ të doktorit ishin shpërndarë në operativitet për të gjetur komunikimet ndërmjet SPAK dhe Policisë së Shtetit, për ndonjë veprim operativ ndaj dhëndrit të tij.
Pavarësisht deklarimet në televizione se policia ka kërkuar që të lidhet me Jamarbër Malltezin në telefon, pas vendimit të GJKKO-së, në realitet nuk ka pasur asnjë komunikim të tillë.
Të gjithë operacionin e ka marrë në dorë Byroja Kombëtare e Hetimit, nën emërtimin Policia Shqiptare. Kjo strukturë e armatosur, ka të gjitha mundësitë e inteligjencës, bazës materiale dhe njerëzore për të operuar si një forcë e një policie gjyqësore, pasi është institucion Kushtetues.
Varësia e saj është direkte nga Prokuroria Speciale, e në rastin aktual, kanë qenë agjentët e BKH-së që janë marrë me operativitetin e rastit Malltezi.
Dhëndri ka qenë i survejuar në çdo hap të tij derisa ka mbërritur në aeroportin e Rinasit, dhe ndalimi konkret është bërë pasi ai kishte marrë me vete materiale të rëndësishme, të cilat do t’i transferonte jashtë.
Këtu ende mbetet mister, nëse do të udhëtonte me një linjë ajrore vetë dhëndrri, apo do të takohej me dikë tjetër. Fakt është se Jamarbër Malltezi, nëse do të udhëtonte jashtë shtetit, mund të kishte kaluar lirisht, jo vetëm sepse klani i vjehrrit të tij ka ende lidhje në policinë e shtetit, por sepse policia e shtetit nuk ishte informuar fare për operacionin e SPAK.
Gjithçka e ka kryer BKH, ndërsa policia është marrë me aspekte administrative siç është dërgimi i njoftimit të Berishës.
Ndaj edhe Drejtori i Policisë së Shtetit, që ka hyrë në zyrat e SPAK menjëherë sapo është kthyer nga SHBA, mësohet se ka pyetur pse institucioni që ai drejton është lënë jashtë.
Madje siç mësohet, ka qenë edhe interesimi i Taulant Ballës për këtë. Mbyllja e rrethit të veprimit operacional të SPAK në mënyrë të pavarur, realisht ka shkaktuar një tronditje në mazhorancë, pasi ata në këtë mënyrë mund të mos jenë në dijeni të asnjë vendimi nëse ndodh një gjë e tillë në kupolën e lartë të mazhorancës.
Nuk është rastësi, që një numër i madh drejtuesish të PS-së kanë mësyrë këto ditë në Uashington në përpjekje për të gjetur kanale komunikimi, në një rast rreziku.
Ndërkaq, FBI dhe Scotland Yard-i britanik ka sjellë në SPAK dokumente të kërkuara për gjurmë transaksionesh, por edhe llogari bankare të gjurmueshme të njerëzve me pushtet në Shqipëri.
Për dy javë pritet të shpërthejë një bombë tjetër, ngaqë një grup prokurorësh të SPAK që po punojnë prej kohësh për hetimin pasuror, do të mbyllin dosjen për ta çuar për nisje hetimesh. Mësohet se bëhet fjalë për dy zyrtarë shumë të lartë të shtetit shqiptar. Të nivelit të Sali Berishës. i cili përveç klubit Partizani, pritet që të shpallet nën hetim shumë shpejt edhe për aferën Gërdeci. Nga ku kanë ardhur dy deponime të forta nga gjykatat amerikane, prej dy partnerëve të aferës së fishekëve që janë dënuar në SHBA. / Pamfleti