Në Firence feston Etrit Berisha me shokë. Empoli ia doli të triumfojë 0-2 në “Artemio Franchi” plot me tifozë violë, në një sfidë të vlefshme për Serie A. Skuadra vendase dominoi takimin, por nuk ishte e saktë me “shënjestrën”.
Portieri shqiptar i Empolit, Etrit Berisha ishte i pakalueshëm, teksa vlen të përmenden përveç pritjeve të “gardianit”, edhe përformanca e prapavijës.
Sa i takon golave, Empoli realizoi me Caputon në minutën e 21-të. Djemtë e Italianos ushtruan presion konstant por kuR nuk shënon, e pëson. Rregulli i pashkruar i futbollit u aplikua në minutën e 81-të, me Giasin që vendosi përfundimisht sfidën në favor të Empolit.
6 minutat shtesë ishin të pamjaftueshme për të ndryshuar rrjedhën e takimit. Në fund, Empoli i gëzohet 3 pikëve, pikë shumë të rëndësishme këto në këtë fazë të sezonit.