Buxheti i shtetit ka arritur nivel rekord sufiçiti për periudhën 9 mujore të vitit 2023 i cili rezultoi në rreth 51.6 miliardë lekë nga rreth 8.5 miliardë Lekë sufiçit i planifikuar për këtë periudhë, apo e thënë ndryshe 507 % më shumë. Ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë niveli i sufiçitit rezulton rreth 35.3 miliardë lekë më shumë.
Kjo performancë ka bërë që qeveria të rishikojë buxhetin pak ditë më parë, duke rishpërndarë 46 miliardë lekë për ti kanalizuar tek projektet me performancë pozitive. Por si ka ardhur kjo rritje e të ardhurave? Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, të ardhurat totale për 9 mujorin 2023, u realizuan në masën 101.5% të planit, ndërsa në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë u mblodhën 51 miliardë lekë më shumë.
Të ardhurat nga tatimet kanë ndikuar në këtë performancë, pasi janë realizuar në masën 255.2 miliardë lekë, 39.7 miliardë më shumë se 9 mujori i vitit të kaluar, si dhe 24.8 miliardë lekë me shumë se planifikimi. Rritjen më të madhe ndër zërat e të ardhurave tatimore e kanë kontributet e sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore me afro 15.4 miliardë lekë krahasuar me një vit më parë, ndikuar kjo nga rritja e pagës minimale në shkallë vendi dhe pagave në sektorin publik dhe privat.
Të ardhurat nga tatim fitimi po ashtu janë realizuar në masën 44.9 miliardë lekë, me një rritje të konsiderueshme prej 11 miliardë lekë në raport me 9-mujorin 2022. Rritje prej 9.7 miliardë lekësh kanë njohur edhe të hyrat nga tatimi mbi të ardhurat personale si dhe nga TVSH e brendshme neto rezulton të jenë mbledhur 7.4 miliardë lekë më shumë se një vit më parë, ndikuar kjo nga një bum turistik që përjetoi vendi përgjatë 2023.
Në të ardhurat tatimore, vetëm zëri i taksave nacionale ka pasur performancë negative. Sa i takon të ardhurave doganore, u realizuan në vlerën 159.8 miliardë lekë, apo 4.6 miliardë lekë ose më pak se 9 mujori 2022, si dhe 13.6 miliardë lekë me pak se plani. Në këtë zë ka ndikuar ndjeshëm zhvlerësimi i euros përgjatë këtyre muajve, duke i bëtë importet më të lira. TVSH në import rezulton 7.7 miliardë lekë më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë, si dhe 10.3% më pak se plani .
Të ardhurat nga akciza kanë qenë nën planifikim, ndërsa renta minerare dhe taksat doganore kanë performuar pozitivisht. Shpenzimet e përgjithshme publike, u realizuan në masën 92.2 përqind të planit të periudhës, ku shpenzimet korente dhe ato kapitale, kanë shënuar një realizim respektivisht në masën 98 përqind dhe 70.8 përqind të planit.