38 vjeçari shqiptar Saimir Gjoka, ka humbur jetën në një aksident të rëndë rrugor në autostradën në afërsi të Modenas në Itali rreth orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme në rrethana ende të paqarta.
Sipas mediave italiane, në aksident u përfshinë 2 makina, ndërsa 38-vjeçari gjeti vdekjen në vendin e ngjarjes. Për nxjerrjen e tij nga mjeti u desh ndërhyrja e zjarrfikëses.
Në makinën e shqiptarit autoritetet italiane gjetën një çantë të mbushur me para dhe një substancë të dyshimtë. Po ashtu në makinë me 38 vjeçarin ndodhej edhe një pasagjer që dyshohet se u arratis në fushat pranë pas aksidentit.
Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit dhe janë vënë në kërkim të pasagjerit të arratisur.