Kreu i Komisionit të Prokurimeve, Jonaid Myzyri, më parë ka punuar si jurist pranë Alko Impex. Por në këtë rast fijet e influencës janë shumë më të mëdha se kaq. Zoti Abazi rezulton të ketë lidhje të afërta familjare edhe me zv/kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku.
“Alko Impeks Construction” dhe “Alko Impeks General Construction”, dy kompani të zotëruara nga biznesmeni Arbër Abazi rezultojnë “të përkedhelura” nga Komisioni i Prokurimeve Publike duke hedhur dyshime të forta për konflikt flagrant interesi.
Kreu i Komisionit të Prokurimeve, Jonaid Myzyri, më parë ka punuar si jurist pranë Alko Impex. Por në këtë rast fijet e influencës janë shumë më të mëdha se kaq. Zoti Abazi rezulton të ketë lidhje të afërta familjare edhe me zv/kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku. Dhe kompanitë e tij lulëzojnë me kontrata publike.
Sipas të dhënave nga thesari, në katër vitet e fundit, kompania e parë ka përfituar 2.3 miliardë lekë pagesa nga thesari i shtetit, ndërsa e dytë më shumë se 2.7 miliardë lekë. Në total, më shumë se 50 milionë dollarë.
Këto janë vetëm pagesat e ekzekutuara, ndërsa shuma e kontratave publike të përfituara, por që janë në proces është të paktën 2 herë më e madhe. Dy kompanitë rezultojnë se fitojnë tendera publikë nga Autoritetet Kontraktore, por edhe përmes Komisionit të Prokurimeve Publike.
Institucioni i drejtuar nga Jonaid Myzyri ka dhënë të paktën 6 vendime në favor të dy Alko-ve. Fondi limit total për këto 6 tendera është tejet i lartë dhe përllogaritet në mbi 13.6 miliardë lekë të vjetra ose rreth 13 milionë euro me kursin aktual.
– Në vjeshtën e vitit 2021, Bashkia e Fierit shpall tenderin me objekt “Shërbimi i pastrimit dhe largimit të mbeturinave (mbetjeve urbane) në Njësitë Administrative dhe kryerja e shërbimit të mirëmbajtjes së varrezave publike në Njësitë Administrative të Bashkisë Fier”. Fond limit për këtë tender ishte 198.984.172 lekë të reja.
Kompania “Alko Impeks Construction”, pjesëmarrëse në këtë tender, skualifikohet nga Bashkia e Fierit, për mos-përmbushje kriteresh.
Shoqëria private e ankimon vendimin e skualifimit pranë Komisionit të Prokurimit Publik (KPP). Në tetor të atij viti, KPP, nën drejtimin e kryetarit Myzyri, pranoi kërkesën e “Alko Impeks”, duke urdhëruar Bashkinë e Fierit për ta shpallur fituese.
– Në fund të vitit 2021, Bashkia e Lushnjes zhvillon tender për pastrimin e qytetit. Fondi limit ishte 49.968.489 lekë të reja. Autoriteti kontraktor shpall fituese kompaninë “Alko Impeks”, duke skualifikuar nga gara një bashkim operatorësh.
Këta të fundit ankimojnë vendimin pranë KPP-së. Por, institucioni e rrëzoi kërkesën e tyre, duke lënë në fuqi vendimin e Bashkisë Lushnje për të shpallur fitues “Alko Impeks”.
– Në maj 2022, Bashkia e Himarës e skualifikon kompaninë e familjes Abazi nga tenderi për pastrimin e territorit të saj. Fondi limit ishte 289.674. 042 lekë të reja.
“Alko Impeks” ankohet pranë KPP-së së drejtuar nga Jonaid Myzyri dhe kërkesa e saj pranohet, duke detyruar Bashkinë Himarë që ta shpallë fituese te tenderit.
– Në Tetor 2022, Bashkia e Vorës e skualifikon “Alko Impeks General Construction” nga tenderi me fond limit 273.460.221 lekë të reja për pastrimin e qytetit.
Sërish, “Alko Impeks” e ankimon vendimin në KPP dhe sërish arrin të marrë vendim pozitiv nga ky institucion.
– Në Prill 2023, Bashkia e Pogradecit e shpall fituese kompaninë e familjes Abazi në tenderin “Loti IV, Ura e Zëmçës – Kryqëzimi Proptisht, Bishnicë”, me fond limit 220.320.000 lekë të reja
Njëri nga pjesëmarrësit në garë kërkon nga KPP skualifikimin e “Alko Impeks”, por më tej ky shqyrtim administrativ u pushua, duke lënë fitues kompaninë e familjes Abazi.
– Së fundi, në korrik 2023, “Alko Impeks” ankimoi vendimin e Drejtorisë Spitalore Dibër për skualifikimin nga tenderi “Rikonstruksioni i godinës spitalore”, me fond limit 325.049.984 lekë të reja.
Edhe në këtë rast, KPP e Joanid Myzyrit u rreshtua në krah në kompanisë së familjes Abazi, duke vendosur pro saj./ Boldnews