Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka vendosur për të mos nisur hetimet ndaj kallëzimit penal që kryetari i Forumit të Avokatëve, Idajet Beqiri depozitoi për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe Ilir Metën për sa i përket privatizimit të HEC-eve Ulëz, Shkopet, Bistrica 1 dhe Bistrica 2 para zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit 2013.
Gjithashtu përpos këtyre të dyve ai kërkoi ndjekjen e penale edhe për ish-ministrin e Financave, Ridvan Bode, ish-ministrin e Energjetikës, Edmond Haxhinasto, ish-zëvendësministrin e Energjetikës Sokol Dervishaj dhe ish-drejtorin e KESH Engjëll Zeqo. Kjo çështje ka kaluar për kompetencë në Prokurorinë e Tiranës në një kohë që për Berishën dhe Ilir Metën kompetenca është e SPAK.
Sipas Beqirit, ish-zyrtarët në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë kaluar në duart e privatit pasurinë publike (4 hidrocentralet), në kundërshtim flagrant me ligjin dhe në mënyrë korruptive, duke shkaktuar një dëm me vlerë 232 milionë euro. Edhe pse SPAK e Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi për mos fillimin e procedimit penal, Idajet Beqiri nuk ndalet. Ai e ka apeluar çështjen në Gjykatën e Lartë duke thënë se SPAK, gjyqtari Erion Bani dhe gjyqtarja Nertina Kosova kanë dhënë një vendim skandaloz pasi kanë frikë t’i përmendin edhe emrin Berishës e Metës.
Zbardhet dokumenti i plotë
Gazeta “SOT” disponon dokumentin që avokat Beqiri dorëzoi në Gjykatën e lartë dhe aty thuhet se “sipas Gjykatës së Posaçme të Apelit “shkresa përcjellëse” e Prokurorit të SPAK, me anën e të cilës kërkohet që kallëzimi penal kundër subjekteve të kallëzuara Sali Berisha, Ilir Meta, Edmond Haxhinasto, Ridvan Bode, Sokol Dervishaj, Engjëll Zeqo, të cilët për interesat e tyre, të familjeve të tyre dhe të bashkëpunëtorëve të tyre, kanë tjetërsuar 4 pasuri të rëndësishme kombëtare, pronë e shtetit shqiptar, në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Republikës, me Ligjin nr.8306, datë 14.3.1998 “Për strategjinë e privatizimit të sektorëve me rëndësi të veçantë”, nuk mund të ankimohet! Për rrjedhojë, kjo Gjykatë Apeli me vendim të gjyqtares Nertina Kosova nuk më jep as të drejtën të paraqes këtë rekurs para Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë me arsyetimin se ky akt i Prokurorit të SPAK është i paankimueshëm. Për t’i dhënë ngjyrë juridike paankimueshmërisë së shkresës përcjellëse të Prokurorit të SPAK Nr.K.259/1 Prot, datë 27.04.2023, i cili e dërgon për kompetencë te Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm kallëzimin penal për një krim të rëndë të kryer nga subjekte që hetohen nga SPAK, i referohet Vendimit të Gjykatës Kushtetuese Nr.28, datë 16.12.2008. Në këtë vendim thuhet: “… gjykata duhet të kërkojë gjithmonë brenda rendit juridik të shtetit shqiptar normën që rregullon një rast konkret. Ajo duhet të mbështetet në një autoritet që ka forcën e ligjit dhe që zgjidh mosmarrëveshjen konkrete. Në rast se një normë e tillë nuk ekziston, ajo duhet të kërkojë edhe norma të tjera që rregullojnë rastet analoge. Gjykata, për zgjidhjen e një mosmarrëveshje ka detyrën funksionale për të kryer interpretime të ndryshme në lidhje me kuptimin e normave, me kërkimin e normave që rregullojnë rastet analoge apo identifikimin e parimeve të përgjithshme dhe të jurisprudencës kushtetuese.”
Shkelja e ligjit
Bazuar në arsyetimin e mësipërm të Gjykatës Kushtetuese, Gjykata e Apelit, krejt në mënyrë të njëanshme, ose thjeshtë dhe vetëm për të mbrojtur subjektet e krimit të korrupsionit dhe të krimit të organizuar, të cilët kanë bërë aferën e 132 milion euro në dëm të buxhetit të shtetit, si dhe duke i dhënë mundësinë një firme private të përvetësojë për çdo vit 10 milion euro nga shfrytëzimi me anën e korrupsionit aktiv dhe pasivë të 4 Hidrocentraleve, pasuri kombëtare e shqiptarëve, i referohet nenit 420, pika “1”, gërma “d” të Kodit të Procedurës Penale për mospranimin e ankimit time, në vend që t’i referohet dispozitave të tjera proceduriale që mbrojnë interesat kombëtare, që mbrojnë pasurinë publike, që luftojnë krimin e rëndë të korrupsionit të zyrtarëve të lartë shtetëror, dhe që është neni 75/a i Kodit të Procedurës Penale, i cili nuk e lejon Prokurorin e SPAK të dërgojë për kopetencë në një Prokurori të Juridiksionit të përgjithshëm, një kallëzim penal ku subjektet e kallëzuara janë zyrtar të lartë shtetëror që i ka SPAK në kompetencë për të regjistruar procedimin penal dhe për t’i hetuar.
Si po vidhet pasuria e shqiptarëve?
Po kështu, në bazë të arsyetimit të Vendimit të Gjykatës Kushtetuese Nr.28, datë 16.12.2008, Gjykata e Posaçme e Apelit duhet t’a vinte në binarët e ligjit Prokurorin e SPAK, duke e urdhëruar atë që të mos operojë në të ardhmen me “shkresa” kur i paraqitet një kallëzim penal kundër ish Kryeministrit Sali Berisha, anëtarëve të qeverisë dhe funksionarëve të lartë shtetëror Ilir Meta, Florjan Mima, Sokol Dervishaj, Edmond Haxhinasto, Ritvan Bode, Engjëlll Zeqo etj., por të veprojë sipas parashikimeve të Kodit të Procedurës Penale, duke operuar me vendime, sikurse mund të ishte vendimi i moskompetencës, nëse do të vlerësonte se kallëzimi penal kundër tyre është në kompetencë të prokurorisë së juridiksionit të përgjithshëm. Prokuroria e Posaçme duhet të regjistrojë procedimin penal dhe të urdhërohet që të dalë me një vendim të arsyetuar, me qëllim që të mos i mohohet e drejta e ankimit palës kallëzuese, ndryshe, me artificie të tilla, me mohimin e të drejtës së ankimit “me gjoja bazë ligjore”, krimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar nga pushtetarët e lartë do u hapej dera katerkanatëshe dhe ata do të kishin një “imunitet ligjor” të pakapërcyeshëm.
SPAK nuk i përmend as Berishës
Roli i Gjykatës është kontrolli i veprimeve dhe vlerësimi i kërkesave të organit të akuzës në dhënien rrugë kushtetuese dhe ligjore të përmbajtjes së kallëzimit, të veprave penale që janë kryer, duke vënë në themelin e vendimmarrjes së saj a është shkelur apo jo Kushtetuta e Shqipërisë për privatizimin e 4 sektorëve strategjik me rëndësi të veçantë, pasuri që u përket të gjithë shqiptarëve sepse rrjedh nga puna dhe sakrificat e tyre gjatë regjimit komunist, është shkelur apo jo Ligji nr.8306, datë 14.3.1998 “Për strategjinë e privatizimit të sektorëve me rëndësi të veçantë”, dhe nuk është bërja e “avokatisë” ndaj të pandëshkueshmëve të lartë shtetëror, të cilët edhe pse kanë vepruar kundër Kushtetutës dhe ligjit të posaçëm, i bënë të paprekshëm SPAK dhe Gjykata, e nënshtruar dhe e frikësuar deri në moszënien as edhe të emrit në gojë të ish kryeministrit Sali Berisha dhe bashkëpunëtorëve të tij, autorë të kësaj afere të madhe korruptive, të dukshme në dritën e diellit prej të gjithë shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve gjithashtu.
Rekursi i Idajet Beqirit para Gjykatës së Lartë
1. Plotë 5 javë para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 23 qershorit 2013, Sali Berisha dhe bashkëpunëtorët e tij hartuan dhe miratuan 2 (dy) Vendime të Këshillit të Ministrave me anën e të cilave kryen veprat e rënda penale të korrupsionit përmes privatizimit të HEC-ve Ulëz, Shkopet, Bistrica 1 dhe Bistrica 2. Nxjerrja në tender e katër hidrocentraleve të Ulzës, Shkopetit dhe dy HEC-eve të Bistricës përbën një rast kriminal sepse ish Kryeministri Sali Berisha dhe bashkëpunëtorët e tij shesin tek privatët vepra ekzistuese energjetike të ndërtuara gjatë kohës së regjimit komunist. 3. Të dhënat zyrtare të vetë Qeverisë që drejtonte ish Kryeministri Sali Berisha, ish Ministri i Ekonomisë Ilir Meta, ish ministri Edmond Haxhinasto, ish ministri Ridvan Bode, ish zëvëndësministri Sokol Dervishaj, si dhe të dhënat zyrtare të KESH që drejtonte Engjëll Zeqo tregojnë se në total Ulza, Shkopeti dhe dy hidrocentralet e Bistricës kanë një fuqi të instaluar prej rreth 77 megavat, e barabartë kjo me 5.3 për qind të fuqisë totale të KESH-it.
4. Të katra këto hidrocentrale prodhonin 406 milionë kilovat orë energji në vit ose 5.5 për qind të të gjithë energjisë elektrike që prodhon Shqipëria. Nisur nga fakti se prodhimi i energjisë elektrike në vend përllogaritet që gjeneron mbi 200 milionë euro në vit, personat e kallëzuar penalisht, përmes shitjes së këtyre 4 hidrocentraleve, u pakësoi shqiptarëve dhe buxhetit të shtetit 10 milion dollarë të ardhura për çdo vit. Nga viti 2013 dhe deri më sot buxhetit të shtetit dhe taksapaguesëve shqiptarë u janë vjedhur 100 milion dollarë.
Abuzime me pasuri kombëtare
5. Të dhënat zyrtare tregojnë se katër hidrocentralet e shitura në mënyrë abuzive prej ish Kryeministri Sali Berisha dhe bashkëpunëtorët e tij, kanë normat më të larta të fitimit. Së bashku me HEC-in e Lanabregasit, që iu shit Drejtorisë së Ujësjellësit në vitin 2010, këto hidrocentrale dhanë rreth 6 për qind të të ardhurave totale te KESH, por ndërkohë për të njëjtin vit zunë vetëm 2.9 për qind të shpenzimeve. Ky tregues dëshmon se normat e fitimit tek HEC-et që këta të kallëzuar shitën abuzivisht ishin të paktën dy herë më të larta nga mesatarja e KESH, duke konfirmuar kështu leverdishmërinë e tyre të lartë. Në këto kushte kërkohet një përgjigje, përse u krye ky akt abuzive në dëm të buxhetit të shtetit dhe pasurisë kombëtare?! 6. Hidrocentrali i Shkopetit dhe dy Hidrocentralet e Bistricës u shitën pikërisht në momentin që për rikonstruksionin e tyre u përdorën investime të mëdha nga fondet e buxhetit të shtetit dhe nga ndihmat e mëdha të Qeverisë së RF të Gjermanisë. SPAK e ka për detyrë të hetoj sa është kjo shumë që u investua nga paratë e buxhetit të shtetit dhe Qeveria Gjermane, dhe pikërisht pas këtij investimi, në vend që buxheti i shtetit të përfitonte 10 milion dollarët për çdo vit, këto 4 hidrocentrale ju dhanë privatit përmes korrupsionit të hapuir aktiv dhe pasiv dhe vjedhjes së hapur me anën e shpërdorimit të detyrës.
Çfarë duhet të hetojë SPAK?
7. Ish Kryeministri Sali Berisha, ish ministri Ilir Meta dhe bashkëpunëtorët e tyre, pasi anashkaluan zbatimin e Ligjit nr. 8306, datë 14.3.1998 “Për strategjinë e privatizimit të sektorëve me rëndësi të veçantë”, i shitën katër HEC-et, me 132. 2 milion euro më pak nga sa ishte vlera e tyre. SPAK duhet t’a hetoj këtë fakt, duke caktuar një grup ekspertësh për të vlerësuar realisht nëse kjo shifër prej 132.2 milion euro më pak është reale, është më shumë, apo është më pak? Çfarë materiale denoncuese ka Kontrolli i Lartë i Shtetit për këtë fakt? Ish Kryeministri Sali Berisha si dhe bashkëpunëtorët e tij Ilir Meta etj kanë inicuar dhe kanë nxjerrë vendimin Nr. 717, datë 20.10.2011 “Për transferimin e 100% të aksioneve të Shoqërisë HEC-i Lanabregas Sh.a, Tiranë”, zotëruar nga METE, shitur Shoqërisë “Ujësjellës-kanalizime” Sh.a Tiranë” për 15 milion euro. Ndërsa katër HEC-et “Bistrica 1”, “Bistrica 2- sh.a”, “Ulëz” e “Shkopet” u shitën me 1.6 milion euro më pak se vlera e HEC-it të “Lanabregas”. Përpos vjedhjes së hapur me anën e shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit aktiv dhe pasiv, çfarë ka ndikuar në këtë akt të paprecedent kundër pasurisë kombëtare?! 8.Ish Kryeministri Sali Berisha dhe bashkëpunëtorët e tij u kanë bërë ndryshime me qëllimin e hapur korruptiv dy VKM, atij me nr. 152 dhe 153, datë 29/02/2012. Në bazë të ligjit dhe të këtyre VKM investitori strategjik duhet të kishte eksperiencë në menaxhim HEC-eve.
Ndryshimi i VKM-ve
Meqenëse Shoqëria “Kurum International” sha nuk e plotësonte këtë kriter kryesor, atëherë ish Kryeministri Sali Berisha dhe bashkëpunëtorët e tij i zëvendësuan në mënyrë të kundërligjshme VKM nr. 152 dhe 153, datë 29/02/2012, me dy VKM të tjera nr. 676 dhe 677, datë 03.10.2012, duke formuluar nenin 4.1, i cili përligjte aferën e rëndë korruptive, duke qënë këto dy VKM në kundërshtim të hapur me Ligjin nr. 8306, datë 14.3.1998 “Për strategjinë e privatizimit të sektorëve me rëndësi të veçantë”, në një kohë që këto dy VKM duhet të delnin në bazë dhe për zbatimin e këtij Ligji. Mbasi është shpallur fituesi, është bërë VKM dhe Urdhëri i Ministrisë së Financave për të lejuar zbritjen nga vlera e ofertës detyrimet që DPT i ka kompanisë fituese për TVSH e pa rimbursuar!. Kjo nuk ka qenë parashikuar në kushtet e Dokumenteve Standarde të Tenderit (DST). Janë inkuadruar dy shkelje të rënda. Së pari, Neni 9 i Ligjit 8306 përcakton: “Në çdo rast paketa që do të privatizohet me pjesëmarrjen e investitorit strategjik, do të paguhet me para.” Duke kompensuar përmes TVSH-së pa rimbursuar, është shkelur neni 9 i këtij ligji. Kuptohet, gjithçka e targetuar me qëllim favorizimi! Së dyti, nëse përjashtimi nga Ligji 8306 parashikohej në DST, në garë mund të merrnin pjese edhe kompani të tjera shqiptare..!.. Qartazi është bërë favorizim dhe shkelje e barazisë në tendera për të dalë fitues Kompania “Kurum”, e përzgjedhur prej Sali Berishës dhe Ilir Metës.
Verifikimi i pasurive
SPAK këtu duhet të gjejë thelbin e korrupsionit aktiv dhe pasiv. Dhe prej këtij korrupsioni të hapur aktiv dhe pasiv, prej kësaj vjedhje të hapur përmes shpërdorimit të detyrës, të bëjë verifikimin e pasurive të Sali Berishës, Ilir Metës dhe bashkëpunëtorëve të tyre për të vërtetuar nëse ka apo nuk ka pastrim të produkteve që rrjedhin nga ky krim i kryer, pasuritë e këtyre të kallëzuarëve justifikohen me të ardhurat e ligjshme të tyre ose jo.
Sali Berisha krahas shumë pasurive dhe të hollave të tjera, për të cilat nuk kam akses t’i marrë dhe t’ia vë në dispozicion SPAK, ka të regjistruara në Kadastrat e Shqipërisë23 (njëzetë e tre) apartamente me sipërfaqe nga 100-200 m2, një Vilë në Gjirin e Lalzit; si dhe pasuri të tjera të paluajtshme, si dyqane; Katin e 14-të të Pallatit pranë RTVSH, Rruga “Mustafa Matohiti”, të cilin e përdor për zyra; si dhe Llogaritë bankare në Tirana Bankë, Intesa San Paolo Bank, Raiffeisen Bankëtë cilat në total kapin shifrën e 2 miliard dollarëve. Dhe në këto shifra bëhet fjalë për pasuri të deklaruara, në një kohë që pasuritë e fshehura dhe të rregjistruara në emër të personave të tjerë, kapin shifra të frikshme. A mbulohen këto pasuri me të ardhurat e ligjëshme. A i ka deklaruar të gjitha këto të ardhura të kthyera në pasuri të paluajtshme dhe llogari bankare?!
Pasuria e Metës
E njëjta situatë është edhe për Ilir Metën, i cili ende vazhdon të shesë floririn e Krrabës dhe të vërë me të pasuri të patundëshme dhe llogari bankare. Ai disponon një Vilë në Golem, të cilën është blerë pas vjedhjes së floririt të Krrabës, në shumën prej 60 mijë USD dhe në vitin 2006, Ilir Meta e shiti atë 300 mijë euro. Në vitin 2010 ka blerë një apartament në shumën prej 400 mijë euro tek Rruga e Barrikadave në Tiranë. Ilir Meta ka të regjistruara në kadastra edhe Vilë në Gjirin e Lalzit; Apartament banimi në Tiranë 212 m2, me verandë 97 m2 dhe garazh 139 m2; Apartament banimi në Durrës; apartament banimi në Tiranë 99 m2; Apartament banimi në Tiranë 75 m2; apartament banimi në Tiranë 69 m2; Apartament banimi në Tiranë 103 m2; Apartament banimi në Tiranë 94 m2; Apartament banimi në Tiranë; Njësi tregtare 107 m2; Njësi tregtare 63 m2; Njësi tregtare 172 m2; Garazh 318 m2; Garazh 17 m2; Llogari bankare që llogaritën në 2,5 miliardë dollarë etj etj. Shqipëria dhe shqiptarët, me ndihmën e SPAK dhe të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, nuk mund t’i falin ish Kryeministrave Sali Berisha dhe Ilir Meta si dhe Shoqërisë “Kurum International” sha 4 hidrocentrale të ndërtuara me mundin dhe gjakun e tyre, duke n’a vjedhur krahas 132 milion eurove, edhe 10 milion euro për çdo vit, duke filluar kjo vjedhje nga viti 2013 e deri më sot për çdo vit, duke qenë kjo vjedhje me anën e shpërdorimit të detyrës parashikuar nga neni 135 i Kodit Penal një krim vazhdues, sepse edhe për vitin 2022 plotë 10 milion euro i futi në xhepin e saj Shoqëria “Kurum International” sha dhe Sali Berisha e Ilir Meta, në vend që ato të ishin pjesë e buxhetit të shtetit shqiptar.
Kërkesa e Beqirit
Në fund të dokumentit, avokat Idajet Beqiri i kërkon Gjykatës së Lartë të prishë vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe dërgimin e çështjes në Prokurorinë e Posaçme për Korrupsion dhe Krim të Organizuar për të regjistruar procedimin penal duke kryer veprimet e domosdoshme hetimore kundër të kallëzuarve Sali Berisha, Florjan Mima, Eno Bozo, Sokol Dervishaj, Edmond Haxhinasto, Ritvan Bode, Engjëlll Zeqo etj, për dyshimin e arsyeshëm se kanë bërë privatizimin e 4 HEC-eve Bistricë 1 e 2 dhe Ulëz e Shkopet përmes vjedhjes me anën e shpërdorimit të detyrës, të korrupsionit, “Fshehja e të ardhurave” “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publike ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal”, përfundon dokumenti që avokati Idajet Beqiri ka dorëzuar në Gjykatën e Lartë