SHBA ka sjellë një dosje voluminoze në SPAK për lobimet e Ilir Metës dhe duket se kjo ka alarmuar kreun e PL, i cili duket se e ka pisk punën. Ish-presidenti duket se ka filluar ta ndiejë frikën e prangave, pasi prokurori i SPAK-ut, Sotir Kllapi, i trajnuar nga amerikanët po harton relacionin për arrestimin e tij për dosjen e lobimit me para të pista në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Madje së fundmi në konferencën me gazetarët, Altin Dumani zbuloi se po pret informacione të reja nga amerikanët.
Këto zhvillime kanë bërë që pas një periudhe të gjatë “zhdukjeje”, Meta të dalë sërish para mediave për të sulmuar Prokurorinë e Posaçme që po i qep dosjen, ku përveç tij janë të implikuar zyrtarë të lartë të LSI. Për të shpëtuar nga burgu, ai ka nisur të bëjë gati alibinë dhe është e njëjta me atë të që mbajti me videon e Dritan Priftit, por edhe me akuzat se ka qenë spiun i ish-Sigurimit të Shtetit.
Por jo vetëm kaq, për të disatën herë ish-presidenti ka hequr përgjegjësinë nga vetja dhe në intervistën e fundit që dha për mediat dy ditë më parë. Ngaqë i ka shkuar laku në fyt, po shkon deri aty sa me deklaratat e tij nënkupton se për aferën e lobimeve në SHBA do bëhen “kurban” Petrit Vasili dhe bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi.
“Nuk ekziston asnjë shqetësim i im për dhjetëra dhe qindra letra porosi që kanë shkuar, që do të shkojnë dhe mirë bëjnë që shkojnë, kudo në botë sepse unë jam tërësisht i bindur se në të gjithë jetën time publike, gjithmonë kam respektuar ligjin, interesin publik dhe kushdo që mendon se duke inskenuar ngjarje të paqenë me kallëzues të rremë, që janë bërë të pasur dhe kanë probleme me drejtësinë dhe janë punësuar te rilindja.
Me dëshmitarë të rremë e lajme të porositura për të frenuar forcën denoncuese të PL dhe Metës ndaj skandaleve të korrupsionit. Këto janë lëvizje të pashpresa. Drejtësia të hetojë sa të dëshirojë, si të dëshirojë, por absolutisht nuk e shmang vëmendjen nga çështjet që kanë dëmtuar Shqipërinë”, u shpreh së fundmi Ilir Meta.
Skema e Metës
Kjo nuk është hera e parë që ai “shet” gruan e tij dhe Petrit Vasilin. Meta edhe në korrik tha se do të mbajë përgjegjësi për LSI deri në vitin 2017, kur dhe ai ka qenë kryetar, dhe jo për periudhën më pas kur partia u drejtua nga Vasili e Kryemadhi. “Ata që mendojnë se do të spostojnë përgjegjësinë e Ramës për këtë regjim autorial që ka vënë në Shqipëri, me këtë piramidë korrupsioni që ka krijuar, me përralla jo Meta, jo ky, jo ai, ta harrojnë. Sa i takon Metës dhe PL, të bëjnë çfarë të duan.
Të çojë SPAK letra porosie jo në SHBA, por edhe në hënë. Ta ketë të qartë se Meta zbaton ligjet e Shqipërisë, zbaton ligjet e SHBA dhe çdo vendi. Shqipëria dhe SHBA kanë marrëveshje ekstradimi dhe mund të plotësojnë çdo kërkesë, por asgjë nuk ka të paligjshme në periudhën kur unë drejtoja LSI. Nuk e marr përisipër kur nuk kam qenë unë kryetar. Absolutisht asgjë. Këto janë lojëra e manipulime të karakterit mediatik”, tha Meta më 22 korrik.
Pse Meta mund të çojë në burg Kryemadhin dhe Vasilin
Meta rrezikon të çojë në burg dhe gruan e tij, pasi deputeti Petrit Vasili, si përfaqësues i LSI-së, ka firmosur një nga kontratat e lobimit me kompaninë Global Security and Innovative Strategies, në 3 shkurt 2016, ku janë paguar 123 mijë USD, për t’i mundësuar takime me anëtarë të Kongresit në SHBA, takime me zyrtarë të Departamentit të Drejtësisë dhe të Departamentit të Shtetit. Edhe ky shpenzim nuk është deklaruar në KQZ. Në burg mund të përfundojë dhe Monika Kryemadhi pasi ka firmosur raportin e rremë financiar të LSI, për vitin 2017, që ka dorëzuar në KQZ.
Çfarë ka ndodhur?
Ish-presidenti Ilir Meta akuzohet se ka shpenzuar gjatë viteve 2016-2017 rreth 1.2 milionë USD për lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Meta nuk ka deklaruar asgjë në ILDKPKI dhe në KQZ siç e parashikon ligji. Në bazë të provave të mbledhura, në qershor të vitit 2022, ish deputeti Halit Valteri referoi një kallëzim në SPAK. Në kallëzimin penal thuhej se Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi kanë konsumuar 8 vepra penale, si fshehje të ardhurash, korrupsion pasiv dhe aktiv, pastrim parash, shpërdorim detyre, fshehje pasuri, mospagim taksash etj.
Si fakte, në kallëzim thuhet se Ilir Meta dhe LSI-ja kanë lidhur kontrata lobimi në SHBA me kompaninë McKeon Group në vitin 2017, me vlerë qindra mijëra dollarë, duke fshehur shpenzimet si në KQZ, ashtu edhe në ILDKPKI, siç e parashikon ligji. Disa ditë më pas, bazuar në këtë kallëzim, SPAK regjistroi procedimin penal me numër 122, me dy akuza: Korrupsion dhe falsifikim të formularëve.
Prokurorët e kësaj çështje janë Sotir Kllapi dhe ish kreu i SPAK-ut, Arben Kraja, të cilin Meta e etiketoi si ‘Spurdhjaku i partisë që ka vendosur t’i shërbejë hapur mafies së inceneratorëve’.
Për të provuar veprën penale të dyshuar, SPAK kërkoi informacion me letërporosi në SHBA. Autoritetet amerikane, në përgjigjen e kthyer, kanë konfirmuar pagesat e paligjshme për lobim.