U kap në Muriqan dhe i dënuar në Rusi me 15 vite burg, Igor
Gjykata e Shkodrës caktoi masën “arrest me burg” me 40 ditë afat për 59-vjeçarin, Igor Kokunov, i cili u arrestua në 28 gusht në Pikën Kufitare të Muriqanit për llogari të drejtësisë ruse. Ai rezulton i dënuar me 15 vite burg për vepra të rënda penale. Kokunov, i cili del si njëri prej elementëve të krimit të organizuar më të rrezikshëm në atdhe orvatej kohët e fundit nëpër Europë për t’i shpëtuar burgosjes në shtetin amë.
Në seancën e fundit gjyqësore në Gjykatën e Shkodrës, ai deklaroi se ka frikë të kthehet në atdhe, pasi fajësoi për dënimin e tij organet shtetërore të regjimit diktatorial të presidentit Vladimir Putin. Tashmë, Shqipëria pret kërkesën e palës ruse për të ekstraduar Kokunovin.
Detaje nga gjyqi, Kokunov kërkoi të dërgohej në burg spitali, vuan nga zemra
Kokunov deklaroi dje në gjyq se donte të hynte në territorin shqiptar për qëllime turistike dhe se nuk kishte asnjë dijeni se ndaj tij ishte lëshuar një mandate arresti nga gjykata e Moskës. Një gjë e tillë nuk i ka bindur gjykatësit për lirimin e tij. Ai mbrohej nga dy avokatë shqiptarë, ndërsa në sallën e gjyqit kanë shfaqur interes dhe dy shtetas të ardhur nga Mali i Zi. 59-vjeçari kërkoi nëpërmjet avokatëve të tij të mos mbahej në paraburgim, por të dërgohej në burgun e Spitalit të Tiranës, pasi vuan nga zemra.
Kush është Igor Kokunov, i quajtur “Vasya Bandit” nga krimir rus?
Kokunov mban nofkën “Vasya Bandit” si njëri prej elementëve më të rrezikshëm kriminalë në Rusi në vitet ’90-‘2000, të cilët arritën të kapnin në dorë dhe shtetin. Ai akuzohet se ka kryer vepra të rënda penale si rrëmbimi, zhvatja, grabitja, mashtrimi dhe organizimi i bizneseve të paligjshme në rrethet Sergiev Posad, Chekhov dhe Podolsk të rajonit të Moskës për gati 30 vite me radhë.
Edhe pse është arrestuar disa herë brenda dhe jashtë vendit, ai ka mundur të dalë nga burgjet plot 6 herë, duke mos e kryer asnjëherë të plotë dënimin me 15 vite burg. Në 10 qershor 2020, një media ruse, e cila raportoi lidhur me arrestimin e Kokunov tregoi se ai kishte ndërtuar një rezidencë me shatërvan personal. Gjatë kontrolleve që u ushtruan atë kohë u gjetën, armë të ftohta, pellushe të kushtueshme, etj. Në 2008, ai u ekstradua nga Ukraina në Rusi bashkë me Eduard Vardanyan, me nofkën “Edik”. Të dy akuzohen se kanë kryer aktivitete kriminale të rënda.
Kokunov u arratis 2 ditë para gjyqit, ja si i zhvati 3 mln dollarë një biznesmeni
Kokunov u arratis nga shtëpia e tij në 20 shkurt 2022. Në 20 prill 2022, ai u dënua me Dmitry Goldberg me 7 vite burg për zhvatjen e 3 milionë dollarë nga drejtori i përgjithshëm i Fabrikës së Orëve të Para Moskë PJSC. Sipas hetimit, Goldberg u takua me “Vasya Bandit” (Kokunov) në 2005. Njohja dyshohet se u organizua me iniciativën e drejtorit të përgjithshëm dhe pronarit të Fabrikës së Parë të Orëve të Moskës PJSC.
Drejtori, me ndihmën e një “fiksuesi” u përpoq të shuante konfliktin që kishte lindur me partnerët e tij të biznesit. Hajduti me ligj (Kokunov) ka zgjidhur konfliktin dhe ka marrë për servis një “Mercedes S-Class”. Drejtori gjithashtu pranoi t’i paguante “dashamirësit” një bonus mujor prej 10 mijë dollarësh. Së shpejti shuma u rrit me 15 mijë dollarë. Paratë u transferuan përmes ndërmjetësit Goldberg. Kokunov shkoi përsëri në burg në 2008 për shantazh. Por, pas lirimit të tij, drejtori i uzinës ofroi një kompensim prej 1 milion dollarësh. Kokunov nuk ishte i kënaqur me këto kushte. Më pas pronari i fabrikës së orës i ofroi hajdutit katër apartamente.
Sidoqoftë, kreu i ndërmarrjes shpejt ndryshoi mendje dhe iu drejtua agjencive të zbatimit të ligjit. Është interesant fakti se Kokunov, i cili u gjykua njëkohësisht në Gjykatën Rajonale të Moskës për pozitë të lartë në hierarkinë kriminale, u arratis nga arresti shtëpiak në 20 shkurt 2022. Pak para arratisjes, gjyqtari ndryshoi masën e ndalimit për autoritetin, duke e liruar nga qendra e paraburgimit në “arrest shtëpie”. Duke përfituar nga kjo lehtësi, i akuzuari hoqi byzylykun elektronik, i cili duhej të gjurmonte vendndodhjen e tij dhe u zhduk në prag të seancës së ardhshme, të caktuar për 18 shkurt 2022.