Ky është momenti kur një nga qindra raketat e nisur nga Izraeli goditi Bankën Qëndrore në Gaza.
E njëjta pamje paraqitej në të gjithë enklavën e drejtuar nga Hamas edhe në ditën e dytë të luftimeve të ashpara që kanë nisur mes izraelitëve dhe palestinezëve.
Bilanci i luftimeve është vërtetë i tragjik, teksa prej së shtunës në mëngjes nga të dyja palët kanë humbur jetën rreth 1 mijë persona, ndërsa mijëra të tjera janë plagosur.
Pasojat më të rënda janë tek izraelitët të cilët siç raportojnë mediat vendase atje kanë humbur jetën rreth 670 persona, ndërsa janë plagosur mbi 2200 të tjerë.
Mbi 700 persona të tjerë raportohen të marrë peng nga militantët palestinezs në qytetet kufitare me Gazën.
Numri i viktimave është rritur edhe tek palestinezët, duke mbërritur në 380 të vrarë dhe mbi 2200 të plagosur.
Mes viktimave të sulmeve ajrore izraelite nuk mungojnë as fëmijët.
Lufta rrezikon të prekë të gjithë rajonin pasi gjatë natës Izraeli sulmoi një objektiv të milicisë së Hezbollahut në Libanin jugor.
Për pasojë edhe drejtuesit e këtij grupimi u solidarizuan me sulmin e Hamas dhe nisën luftimet kundër Izraelit.
Kryeministri Benjamin Netanyahu u zotua për “një hakmarrje e madhe”, ndërsa krahas sulmeve ajrore Izraeli nisi edhe një kundërofensivë të gjerë nga toka me qindra tanke.
Sulmi i papritur i Hamasit të shtunën konsiderohet si më i madhi dhe më i përgjakshmi ndaj Izraelit që kur Egjipti dhe Siria filluan një sulm të papritur në Yom Kippur 50 vjet më parë.
Në krahun tjetër udhëheqësi i Hamasit, Ismail Haniyeh, tha se sulmi që nisi në Gaza do të përhapet në të gjithë Bregun Perëndimor dhe në Jerusalem.
Ndërsa në Lindjen e Mesme pati demonstrata në mbështetje të Hamasit ku u dogjën flamuj të Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara.