Shqiptarët që jetojnë në Tel Aviv do të kthehen këtë të diel në Tiranë. Avioni i ‘Fishta’ i ‘Air Albania’ është nisur nga Tel Aviv me shtetas shqiptarë në bord por ende nuk dihet sesa është numri i tyre. Avioni pritet të mbërrijë në Rinas në orën 18:10.
‘Me porosi të Ministrit ka vëmendje maksimale për shtetasit tanë, për punonjësit dhe familjarët e ambasadës si edhe për shtetasit nga Kosova, Mali i Zi apo Maqedonia e Veriut.
Janë orë të vështira për ne këtu në Izrael por në emër të qeverisë shqiptare garantoj shtetasit shqiptarë dhe familjet e tyre, që nën drejtimin e Ministrisë tonë të Jashtme dhe autoriteteve izraelite po ndiqen të gjitha procedurat për sigurinë e tyre, gjatë qëndrimit dhe largimit drejt Shqipërisë’- thuhet në reagim.
Prej dy ditësh, Izraeli është në flakë nga sulmet e dirigjuara nga militantët e Hamasit nga Palestina. Deri më tani janë 600 izraelitë të vrarë, mbi 2000 të plagosur dhe 100 pengje. Nga ana tjetër nga sulmet hakmarrëse izraelite në Rripin e Gazës raportohet se janë vrarë 370 palestinezë dhe 2200 të plagosur.