“Nuk mund ta ekstradoj Milan Radoiçiçin në Kosovë, sepse ne nuk e njohim Kosovën, ai ishte aleat i ngushtë i imi, por jo mik”, tha presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Në një intervistë për “Sky News” ai ka prezantuar detaje të reja nga dëshmia e ish-nënkryetarit të Listës Serbe, se një pjesë të armëve, përveç BeH-së, dyshohet se i ka blerë edhe në Serbi dhe Kroaci, shkruan Euronews Serbia.
I pyetur për pretendimet e Prishtinës se Beogradi i ka planifikuar ngjarjet në Banjskë, i ka pajisur një grup serbësh me armë dhe për fotografitë e Policisë së Kosovës, të cilat tregojnë se shumica e armëve të konfiskuara janë prodhuar në Serbi, presidenti i Serbisë tha se është gjithmonë më e lehtë të akuzosh Beogradin.
“Kush do të besojë se në fakt është diçka ndryshe, pothuajse askush”, tha Vuçiç në një intervistë të transmetuar nga Kossev.
Presidenti serb theksoi se pjesëtarët e Policisë së Kosovës përdorin edhe armë të prodhuara në Serbi, por se Serbia nuk ua ka shitur atyre.
Vuçiç është përgjigjur pozitivisht kur është pyetur nëse Radoiçiç është aleati i tij i ngushtë.
“Nuk ka dyshim, ai ka qenë nënkryetar i Listës Serbe”, tha ai. Megjithatë, ai nuk pranoi se Radoiçiç ishte miku i tij. “Ai u akuzua. Ishte një krim i madh”, theksoi Vuçiç.