Një episod mjaft i rëndë ka ndodhur në ndeshjen e Francës kundër USA. Rezultati përfundimtar i ndeshjes 1-1 doli në plan të dytë, pasi përplasja e sulmuesit Olivier Giroud me një nga mbrojtësit e Amerikës solli panik në fushën e lojës. Sulmuesi i Chelsea-s u dëmtua në minutën e 55-të.
Korne nga krahu i djathtë, topi në ajër, lojtari kërceu mbi të tjerët dhe në vend të sferës gjeti kokën e mbrojtësit kundërshtar, Matt Miazga dhe duart e portierit. Të dy lojtarët shtrihen direkt në tokë, pasi shpërthejnë në gjak. Fatmirësisht, ndërhyrja e shpejtë e mjekëve shmang ndonjë komplikim më të madh. Francezi zëvendësohet direkt nga trajneri me Dembelen, pasi Didier Deschamps nuk donte të rrezikonte.
Sot, shtatlarti do të kryej disa analiza dhe në bazë të përgjigjes së tyre mund të merret vesh nëse do të jetë pjesë e Botërorit, apo do të largohet nga grumbullimi. Kjo do të ishte një goditje e madhe për Francën, por mund të jetë një hapësirë për Benzeman për t’u grumbulluar.