Sot në Dhërmi apo Himarë mund ta urrejnë Petro Markon për deklaratat e tij mbi prejardhjen e tyre, por Petro Marko ka thënë të vërtetën që nuk u vinë mirë disave nga fisi i tij.
Madje ndonjë i sojit të tij ka marrë në dorë flamurin e tradhtarit Spiro Milo dhe shëtit ekran më ekran duke na shitur dokrra mbi Himarën dhe prejardhjen e saj dhe duke kërkuar minoritet në një krahinë që nuk ka pasur kurrë grek, por shqiptar safi.
Në librin e tij madhor, “Intervistë me vetveten”, i madhi Petro Marko, buzë plasuri Petro Marko, i persekutuari nga regjimi komunist Petro Marko, i varfëri Petro Marko, i vuajturi Petro Marko flet për kohërat e vjetra të fisit të tij, të fshatit të tij dhe të krahinës së tij.
Shumë shokë më kanë pyetur:
“Po ju, jeni shqiptarë apo grekë?
Të jesh i çdo kombësie nuk është turp, por unë para disa vjetësh kur isha në fshat dhe pasi kampistët (punëtorët, që shkonin në kampin e Dhërmiut për të pushuar) më pyetën nëse ishim shqiptarë apo grekë, u përgjigja me siguri:
“Ne jemi shqiptarë!”
Më pyetën pastaj po pse flisni greqisht?
Me sa munda, ua thashë arsyet. Të nesërmen provokova një mbledhje të gjërë në fshat. U mbush oborri i shkollës me burra e gra. Nga njëra anë ishin nxënësit dhe gjithë te rinjtë, se e kishin merre vesh që unë do të flisja rreth temës: “Jemi shqiptarë apo grekë”?
Bisedën e nisa pak a shumë kështu:
“Duhet ta dimë mirë se ç’jemi, ç’kombësi kemi, se dëgjohen poshtë e lartë fjalë se këta janë grekë, se këta nuk dinë se ç’janë!
Pra fillojmë: -Ti, shoku Pavllo Beja, nga e ke origjinën?
– “Familja jonë, si gjithe Gjileku, jemi krutanë. Erdhëm këtu pas vdekjes së Skënderbeut.
– Po ti, Vangjel Liza, si e di origjinën e familjes sate?
– “Ne vijmë nga Tërbaçi. Këtu erdhën tre vëllezër nga Tërbaçi dhe nga të tre vëllezërit u shtuan lagjet Lizaj, Cacëdhimitrët dhe Trekot”.
– Po ju o Kostë nga vini?
– Ne vijmë nga Velça! Jemi Tavajt dhe qeshi. Ju e keni dëgjuar atë breg-shkëmb atje lart, që quhet Trapeza ose Kont-Tava. Rrjedhim nga Kontet, si ju nga Buajt. Aty tek Trapeza paguanin venecianët, prandaj quhet dhe sot e kësaj dite Kont-Tava ose Trapeza”!
Kështu me radhë të gjitha familjet thanë se nga rridhnin. Na doli se vetëm një ishte i huaj; Josif Averbah, me origjinë çifute, nga Austria. Kjo është një histori e çuditshme: Një konsull i Austro- Hungarisë, që ishte në Vlorë, dashuroi një fshataren tone, që mblidhte myshqe në Llogara me shoqet e saja. Ky konsull shkonte ne Llogara për gjahë. E pa këtë vashëz dhe u çmend pas saj. Erdhi në Dhërmi dhe e kërkoi për grua. I thanë të ndërronte fenë. U bë ortodoks dhe banor i fshatit….
Pra ç’jemi ne? Shqiptarë! Po pse e humbëm gjuhën?
-Unë do të them ato që di; Pse nënat plaka, gjyshet dhe gjyshët dinë më mirë shqipen se greqishten? Pse qajmë e këndojmë në shqip? Pse fjalët e urta i themi në shqip? Siç duket që nga viti 1820 e tehu, greqizimi u bë me qëllim politik nga vetë Greqia, që fitoi lirinë me gjakun e shqiptarëve, qoftë në Mesolongji, qoftë në revolucionin grek. Suli dhe Himara ishin shqiptarë, por dy krahina autonome që nuk njihnin as Greqinë, as Shqipërinë, së cilës i kishte humbur edhe emri. Suli dhe Himara ishin kurdoherë në luftë me turkun.
Erdhi koha që Himara u nda: Himara bregdetare mbeti e lirë dhe e krishterë, kurse Himara e mbrendshme, Labëria, Kurveleshi, Lumi i Vlorës e Dukati u myslimanizuan dhe u ndanë. Megjithëse u ndanë në dy fe nuk i humbën kurrë lidhjet e gjakut dhe të fisit. Çdo fshatar kishte të tijtë në një fshat të myslimanizuar që në kohën e Ali Pashë Tepelenës. Kur bëheshin operacione ndëshkimore nga turqit, bregasit nuk shkonin përtej maleve, në Mesaplik e në Kurvelesh për t’u mbrojtur, siç bënin gjerë në atë kohë, por iknin me barka për në Korfuz ose për në Gjirit, nën mbrojtje e venecianëve. Aty shkonin pleq e plaka dhe fëmijët. Burrat luftonin. Aty rrinin shumë vjet, gjersa mbaronin operacionet ndëshkimore. Thonë se banorët e Dhërmiut shkonin në ishullin grek, kurse ata të Himarës në Gjirit. Prandaj, kur flasin greqisht, dhërmijasit flasin si korfjanët, kurse himarjotët si gjiritlinjtë. Pastaj shkollat ishin greke, mesha këndohej greqisht, tregtinë e bënin me Korfuzin, Janinën. Pak nga pak u shkëputën lidhjet me Labërinë, me Dukatin.
Greqia, që u çlirua e para, thoshte se kudo ku janë ortodoksë janë grekë kurse myslimanët janë turq! Nisi antagonizmi turq e kaurë! Propoganda bënte punën e saj. Kjo u thellua në kohën e Ali Pashë Tepelenës, i cili dërgoi një delegacion në Himarë, që dhe Himara të myslimanizohej. Paria e Himarës delegacionin e priti në Qeparo, se kishte më shumë kapedanë. Delegatët e Ali Pashë Tepelenës u thanë mendimin dhe qëllimin e vizitës. Më plaku i kuvendit himarjot u tha delegatëve:
– E falenderojmë pashanë, që mendon për të mirën tone, por i thoni pashait se këtu poshtë, në fshat, kemi një fushë që s’ka ujë. Thahet në verë dhe nuk na jep asgjë. I jemi lutur Krishtit dhe Shën Mërisë, Shën Kozmait dhe Shën Spiridhoit po s’na dhanë ujë. Në na dhëntë Muhameti ujë, menjëherë bëhemi myslimanë. Kështu i thoni pashait.
Kur vajtën e ia thanë pashait përgjigjen e bregasve, ai qeshi me zemërim dhe tha:
– “Eh kaurët e dreqit, do të ma paguajnë”!
Pastaj, duke qeshur shtoi:
– “Pizevengët janë të zgjuar, s’ke ç’u thua, janë rrufjanë të mëdhenj”.
Pak nga pak propoganda greke bëhej më e madhe, duke pretenduar se “Himara ishte krahina heroike e Greqisë”!
Shumë kapedanë sidomos paria, kishin privilegje dhe paratë e mirëbërësve himarjotë, që i kishin lënë në bankat greke, për shkollat e Himarës, ishin një shkak shumë serioz për propogandën greke. Gjikë Bixhili nga Dhërmiu kishte fituar shumë para në Rusi, ku e kishte marrë Pano Bixhili, përfaqësues i himarjotëve pranë Carit, në Petersburg. Mësuesit dhe shpenzimet për shkollën merreshin nga fondi i Gjikë Bixhilit. Gjikë Bixhili ndërtoi edhe një shkollë, që është sot e kësaj dite. Ne kur ishim të vegjël, në shkollën e fshatit shihnim portretin e tij, të varur në klasë. Siç i la Gjikë Bixhili paratë në bankën greke, ashtu i lanë edhe shumë mirëbërës të tjerë nga Jugu, si Zhapa me shokë. Ishin miliona, të cilat u bënë burim për të ushqyer propogandën greke në vendin tonë, sa që u krijua miti i Vorio Epirit dhe sillogu vorioepiriot, që merrej me çlirimin e Vorio Epirit, domethënë të Shqipërisë së Jugut. Paratë u vunë në dispozicion të parosë, e cila merrte para nga banka greke, e cila qe e autorizuar nga qeveritë reaksionare nacionaliste te Megali Idhesë ( Megali Idheja) : që Greqia të bëhej e madhe duke përfshirë në kufijtë e saj jugun e Shqipërisë dhe vendet ballkanike ku janë ortodoks.
Himarjotët që emigronin në Greqi, kishin privilegje: përkraheshin si bij të një “krahine heroike greke, me histori trimërie e burrërie”!
Fatkeqësia ishte se Shqipëria u çlirua e fundit në Ballkan. Himara kishte ushqyer shpirtin e aneksartisë, autonomisë, si Suli, i cili pak nga pak u greqizua.
Dhe pasi u çlirua Shqipëria, me kufijtë të cunguar shumë, propoganda greke e ushqeu shumë idenë e autonomisë së Himarës: as shqiptare, as greke! Kishte hedhur rrënjë të thella kjo propogandë në shpirtin e himarjotëve, të cilët sytë i mbanin nga Greqia. Krerët himarjotë, si Spiro Miloja, një luftëtar që e ndihmoi shumë Greqinë, ishte në krye të kësaj propogande, me gjithë farefisin dhe sojin e tij, të shpërndarë ne Dhërmi, Vuno e gjetkë.
Spiro Miloja ishte nga Progonati. Në fshatin tonë ai kishte farefis Llukë Zh. e të tjerë, që propogandonin ndarjen e Himarës nga Shqipëria. Si bazë kryesore të propogandës përdornin edhe këtë:
– Pse Labëria u bë turke? E pse të mos bëhemi edhe ne me Greqinë, që është armike e betuar e Turqisë, siç jemi edhe ne armiq të betuar të turkut?
Shumë fanatikë ishin fshatarët e mi! Njëzet e gjashtë kishte. Mbaj mend se kishte tetë priftërinj. Lidhjet ekonomike, privilegjet në Greqi, interesimi i Greqisë për himarjotët, sillogu vorioepiriot ndikuan shumë për t’i bërë himarjotët t’i kthenin sytë nga Greqia dhe të ëndërronin për një autonomi.
Pastaj, edhe në kohën e pavarësisë himarjotët panë se asnjë qeveri e Tiranës nuk u kujdes asnjëherë për ta. Nuk shkonin as xhandarë dhe nuk merreshin me asnjë punë. Ata vendosën të mërgonin: herën e parë në Llavrion, ku kishte miniera; në Korint për të hapur kanalin; në Vllahi, në Rusi, pastaj në Amerikë, në Francë, në Meksikë, në Argjentinë, në Australi, Kanada e gjetkë. Kështu ne dinim më mirë ku binte Buenos Ajresi sesa Kukësi, që nuk ia kishim dëgjuar kurrë emrin. Dinim ku binte Australia dhe jo Kosova, që nuk ia kishim dëgjuar kurrë emrin. Dinim ku binte Athina dhe Korfuzi ose Tirana e Shkodra. Ishim pa asnjë lidhje me atdheun tonë!!
Disa përçarës, vetë regjimi i Zogut, sidomos Musa Juka, na përçau. U ndamë në fshat në dy parti: Pendekuqët që deshën Shqipërinë dhe shkollat shqipe dhe Pendebardhët, që deshën Greqinë e shkollat greke në fshat. Këtë përçarje e ushqeu shumë Musa Juka, duke na armiqësuar vëlla me vëlla. Familja jonë bënte pjesë në partinë e Pendekuqëve dhe mbanim në ballkon kurdoherë flamurin e Shqipërisë. Kapedanët e Spiro Milos na kishin ardhur disa herë në shtëpi, duke na thënë se Andrea Markoja ishte vrarë për Greqinë, Marko Jani ishte internuar nga italianët për Greqinë e të tjera. Deshën që ne të linim shtëpinë e të shkonim në Korfuz, ku do të na mbante me shkolla e me pensione Athina!
Qoftë im vëlla, Fotoja, qoftë kushuriri im Jani, i sikterisnim duke u thënë: “Andrea Markoja u vra për Himarën dhe Marko Jani vdiq i veremosur nga internimet dhe vuajtjet e shumta për Himarën dhe jo për Greqinë. Himara sot është dhe mbetet shqiptare. Prandaj mbajmë dhe flamurin ditë e natë në ballkon.
Ne e dimë gjakun tonë se nga buron.
I përktheni këto rreshta në gjuhën greke dhe ia shpini mbi tavolinë Kryeministrit Micotaqis që të pastrojë tymnajën nacionaliste që i ka verbuar sytë dhe të heq dorë nga një marrëzi që mund të çojë në destabilizimin e të gjithë Ballkanit. Identiteti i njeriut nuk varen nga shitja dhe blerja e kombësisë së tij, por nga trualli dhe toka ku ka lindur ai dhe stërgjyshërit e tij, nga gjuha e vjetër, nga flamuri i vjetër. Sado para të hedh Greqia për të blerë identitetin e disa shqiptarëve mendje prishur të Himarës, nuk do mundi të ndryshojë dot historinë e Himarës. Himara ka qenë, është dhe do të jetë shqiptare dhe asnjëherë minoritet grek. /Nga Çlirim Hoxha