Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shtrirë përtej kufijve procesin e vetingut për gjyqtarët dhe prokurorët. Sipas burimeve, KPK ka vënë re se shumë gjyqtarë dhe prokurorë kanë deklaruar në deklaratën e vetingut shuma të mëdha monetare të përfituara nga emigracioni, qofshin këto para të përfituara nga vetë ata, ose nga të afërm apo kushërinjtë e tyre.
Mirëpo, duke qënë se shumë prej tyre nuk kanë asnjë dokumentacion që të vërtetojnë autenticitetin e këtyre të ardhurave, komisioni vetingut mësohet se ka kryer dhe po kryen verifikime në shtetet të ndryshme të botës. Ekspertë të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit kanë udhëtuar në shtete si Greqia, Italia apo vende të ndryshme të rajonit, me qëllim marrjen e sa më shumë informacioneve sa i takon udhëtimeve apo punëve të ndryshme që kanë bërë gjyqtarët dhe prokurorët.
Po ashtu, mësohet se ekspertët e organeve të vetingut gjatë verifikimeve që kanë bërë në këto shtetet, kanë pasur edhe kontakte dhe takime me të afërt apo të njohur të njerëzve të drejtësisë, duke i marrë në pyetje, në mënyrë që gjatë procesit të rivlerësimit të bëjnë një analizë sa më të detajuar dhe objektive. Kjo lëvizje e KPK, sa i takon kontakteve me të afërt, vjen, pasi shumë gjyqtarë dhe prokurorë kanë deklaruar se një pjesë të pasurisë e kanë marrë hua apo e kanë dhuratë nga kushërinjtë.
Një tjetër lëvizje interesante që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit po bën në kuadër të procesit të vetingut, është verifikimi i sistemit TIMS. Sipas informacioneve, komisionerët e vetingut kanë verifikuar gjithë hyrje-daljet që kanë bërë gjyqtarët dhe prokurorët, në mënyrë që të kenë një panoramë të qartë dhe të detajuar për çdo qindarke të shpenzuar apo të deklaruar nga ana e njerëzve të drejtësisë në kuadër të procesit të rivlerësimit kalimtar. Megjithatë, mbetet për t’u parë në ditë në vijim se çfarë do të prodhojnë këto verifikime.
Pronat në emër të të afërmve
Gazeta ”SOT” mësoi se mbi 2 mijë të afërm të gjyqtarëve dhe të prokurorëve janë verifikuar apo janë duke u verifikuar nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Pastrimit të Parave, nga Hipoteka dhe nga Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave. Sipas informacioneve, ILDKP, i cili është organi kyç që po merret me verifikimin e pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve në kuadër të vetingut, ka zbuluar se pjesa dërmuese e njerëzve të drejtësisë pronat i kanë në emër të të afërmve dhe familjarëve të tyre.
Mësohet se nga verifikimet që janë bërë, rezulton se banesat, bizneset, tokat dhe pasuri të tjera në rastet më të shumta janë në pronësi të bashkëshortëve dhe familjarëve të gjyqtarëve dhe të prokurorëve. Ka dhe raste të tjera kur ato janë në emër të prindërve të tyre, apo vëllezërve dhe motrave. Për këtë arsye, ka pasur një verifikim shumë i gjerë nga ILDKP, e cila ka vënë në lëvizje hipotekat dhe DPPPP për të parë më me detaje situatën.
Sipas informacioneve, po shihet nëse pronat kanë ndryshuar pronësi kohët e fundit, si dhe nëse janë shtuar apo blerë. Nga burimet pranë ILDKP, numri total i të afërmve dhe familjarëve të gjyqtarëve dhe i prokurorëve që po verifikohen, arrin në mbi 2 mijë. Këtu futen prindërit, bashkëshortët dhe fëmijët e tyre, ndërsa në disa raste dhe krushqitë dhe të afërm të tjerë.
Dyshimet janë se gjyqtarët dhe prokurorët e kanë shpërndarë pasurinë e tyre, duke mos mbajtur në emër të tyre gjithçka, pasi disa apartamente i kanë kaluar në emër të bashkëshortëve ose bashkëshorteve, apo dhe në emër të fëmijëve dhe prindërve të tyre. Sipas të dhënave, vitet e fundit ka pasur një trend rritës të pronave që administrojnë fëmijët e gjyqtarëve dhe të prokurorëve.