Një sherr me leva e armë ka ndodhur në Kurbin, me pasojë plagosjen e një personi. Ngjarja ka ndodhur tek Ish-Uzina Laç, ku pas një konflikti shtetasi S. T., pronar i një fabrike, ka goditur me levë hekuri shtetasin D. Lama, i cili është dërguar në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Menjëherë pas këtij konflikti, vëllai të plagosurit, Rudolt Lama, ka marrë një pushkë dhe ka shkuar te fabrika e shtetasit S. T., ku e ka ofenduar dhe kërcënuar, si dhe ka qëlluar disa herë me armë. Ndërhyrja në kohë e policisë ka parandaluar përshkallëzimin e konfliktit, duke arrestuar 22-vjeçarin Rudolf Lama, si dhe ka shpallur në kërkim autorin e plagosjes, S. T.
Njoftimi i policisë:
Ndërhyrja në kohë rekord e policisë parandalon përshkallëzimin e një konflikti i cili agravoi në përdorimin e armëve të zjarrit. Arrestohet në flagrancë autori i dyshuar i përdorimit të armës së zjarrit si dhe sekuestrohet arma e zjarrit pushkë. Shpallet në kërkim autori tjetër i dyshuar i konfliktit.
Me datë 09.06.2018, nga specialistët e Seksionit kundër krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:
– Rudolf Lama, 22 vjeç, banues në Kurbin për veprat penale ” Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit” ” Kanosja” dhe “Prishje e rendit dhe qetësisë publike” parashikuar nga nenet 278/1, 84 dhe 274 të Kodit Penal.
Gjithashtu, u shpall në kërkim dhe punohet për kapjen e shtetasit S.T. 48 vjeç, banues në Kurbin për veprën penale “Plagosje e lehtë me dashje” parashikuar nga neni 89 i Kodit Penal.
Në mesditën e datës 09.06.2018, shtetasi S.T., tek Ish – Uzina në Laç, është konfliktuar për motive të dobëta me shtetasin D.Lama (vëllai i shtetasit Rudolf), ku e ka goditur me mjet të fortë ( levë hekuri) duke i shkaktuar lëndime trupore, i cili është dërguar në Spitalin e Traumes në Tiranë nën kujdesin e mjekëve.
Në momentin që shtetasi Rudolf Lama ka marrë vesh për konfliktin, ka marrë një armë zjarri pushkë model 63, me fishekë, dhe në gjaknxehtësi, ka shkuar tek fabrika e shtetasit S.T. ku e ka ofenduar dhe kërcënuar si dhe ka qëlluar disa herë me armën e zjarrit.
Falë vlerësimit në kohë të situatës dhe njoftimit për konfliktin, nga forcat policore të Komisariatit të Policisë Kurbin, është bërë e mundur ndërhyrja në kohë rekord duke arrestuar në flagrancë shtetasin Rudolf Lama dhe sekuestruar edhe armën e zjarrit pushkë me të cilën kishte kërcënuar dhe qëlluar. Materialet proçeduriale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme.