Ish-zyrtari i FBI-së, Charles McGonigal pranoi të premten fajësinë se kishte marrë 225,000 dollarë nga shqiptaro-amerikani, Agron Nezaj, i cili sipas dokumentave në gjykatë, u bë informatori për hetimin e FBI-së lidhur me kontaktet dhe takimet e tij në Shqipëri.
Pranimi i fajësisë u bë në gjykatën federale në Uashington, në bazë të një marrëveshjeje mes prokurorëve dhe avokatëve të zotit McGonigal. Ai pranoi fajësinë për një prej pikave të aktpadisë, atë për fshehjen e provave materiale, dhe prokurorët hoqën dorë nga tetë pikat e tjera.
I pyetur nga gjykatësja nëse pas udhëtimit në shtator 2017, ai kishte mbajtur “një marrëdhënie të vazhdueshme me kryeministrin e Shqipërisë dhe personin B (Dorian Duçka)”, McGonigal u përgjigj “Po”.
Në të njëjtën mënyrë ai u përgjigj kur u pyet nëse me kërkesë të Personit A (Agim Nezaj), ai i kishte bërë thirrje kryeministrit të kishte kujdes dhe të mos i jepte liçenca për kërkime nafte në Shqipëri një kompanie ruse guackë, ndërkohë që personat A dhe B kishin interesa financiarë nga vendimi i qeverisë shqiptare.
Të gjitha mediat kryesore amerikane e kanë pasqyruar lajmin dhe dëshminë e tij. CNN shkruan se sipas deklaratës së fakteve, “FBI hapi gjithashtu një hetim ndaj një shtetasi amerikan i cili po lobonte për një parti politike në Shqipëri “bazuar pjesërisht në informacionin e dhënë nga i pandehuri McGonigal”.
Pavarësisht se nuk përmendet emri, dyshimet janë se bëhet fjalë për rastin e Nick Muzin, që e kontaktoi Lulzim Basha. Pra “miqtë” shqiptarë sinjalizuan McGonigal dhe e furnizuan me informacion për të nisur hetimet për lobistin e opozitës.