Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një intervistë për “Pavlovic Today”, është pyetur për masat e mundshme apo pasojat nga SHBA-ja për ta mbajtur kryeministrin Albin Kurti përgjegjës sa i përket çështjes së dialogut.
Ai ka thënë se s’dëshiron që të flasë për masat, por për pasoja. Escobar ka thënë se tashmë Kosova po përballet me pasojat e mosgatishmërisë për të punuar ngushtë me Bashkimin Evropian.
Ai ka thënë se i kishte ofruar Kosovës një fushatë të re të njohjeve, për t’i bindur vendet e ndryshme që Kosova ka bërë gjithçka që ishte e nevojshme sipas Marrëveshjes së Ohrit.
Escobar ka thënë se kanë shpresuar edhe për dialogun strategjik SHBA-Kosovë, dhe se mezi presin që Kosova të futet në Partneritetin për Paqe të NATO dhe që të mbështesin kandidaturën e Kosovës për në BE. Por thotë se për këtë vit këto s’janë në tavolinë, dhe ka shprehur shpresë se mund të ndodhin në vitin 2024. E gjithë kjo sipas Escobar, meqë Kosova s’po e zbaton Marrëveshjen e Ohrit.