Nëse fundosja e Arben Ahmetajt konsiderohet si goditje e madhe nga SPAK, për shkak se cilësohet “peshk i madh”, në horizont prangat duket se po kërcasin edhe për familjarët e Sali Berishës të akuzuar si të përfshirë në afera korruptive dhe kriminale.
Bëhet fjalë për dhëndrin e ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi. Zoti Malltezi po hetohet nga Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për aferën e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”.
Kjo dosje është drejt mbylljes dhe mësohet se në vijim SPAK do të lëshojë urdhër arreste ku në prangat e drejtësisë pritet të bien dhe zyrtarë të tjerë të lartë.
Gazetari i njohur Adriatik Doçi ka zbuluar dje se Malltezi po hetohet nga prokurorja e SPAK-ut, Enkeleda Millonai e trajnuar nga amerikanët me thellësi dhe me metodat e FBI-së.
Gjithashtu ai ka dhënë dhe detaje se çfarë ka ndodhur në zyrat e SPAK kur Malltezi ka hyrë në fshehtësi të plotë. Sipas burimeve të tij, me gjithë këmbënguljen e hetuesve, dhëndri i Berishës nuk arriti t’i përgjigjej pyetjes se si i ngriti 19 kulla me vetëm 39 mijë euro të deklaruara.