Juristi Kreshnik Spahiu në një intervistë televizive tha se është i gatshëm të japë një zarf me 10 emra të atyre që do të kontrollojnë pikat e basteve në Shqipëri.
Sipas tij ligji për legalizimin e basteve, është një ligj i bërë sipas mënyrës shqiptare dhe se presidenti Begaj nuk duhet ta miratojë, pasi sipas Spahiut, ky ligj ka kufizime të theksuara dhe diskriminuese.
Ai shtoi se shqiptarët e kanë më të lehtë të licencohen në pika bastesh jashtë shtetit se sa në vendin e tyre.
“Kjo ka vlerë që unë në një zarf të mbyllur të të jap 10 emra dhe t’i hapësh ditën që do të licencohet. Ky ligj është alla-shqiptarçe. Javën e kaluar një miku im shtetas shqiptar ka blerë një pikë bastesh në Milano në vlerën 1000 mijë euro.
Nuk ka pasur asnjë ditë eksperiencë në fushën e basteve, nuk ka jetuar në tre shtete të BE-së dhe e treta nuk ka kaluar asnjë komision as shtetëror dhe asgjë. Kështu ndodh, jo vetëm në Itali, por në çdo vend të BE-së si ka mundësi që këta në vitin 2023 këta miratojnë një ligj që shqiptarët e kanë më të thjeshtë të licencohen në fushën e basteve në një vend të BE-së se sa në vendin e tyre.
Presidenti i Republikës nuk duhet ta miratojë këtë ligj, pasi e para ka kufizime të theksuara shumë diskriminuese dhe e dyta po ti hyjmë konsumatorëve i bie që vetëm 10% të konsumatorëve tu jepet e drejta për të konsumuar baste”,-tha Kreshnik Spahiu.