Ndërsa janë hapur 26 qendra shëndetësore verore nga veriu në jug për të ofruar shërbim për pushuesit, një standard i ri shërbimi, që trajton me shpejtësi urgjencat, është vendosur në cdo urgjencë spitalore.
E ftuar në ERTV, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka prezantuar masat që Ministria e Shëndetësisë ka ndërmarrë për një sezon të sigurt turistik.
“26 qëndra verore janë hapur në gjithë bregun nga Velipoja në Ksamil, për të garantuar kujdes shëndetësor. Gjithashtu në zonat malore si Theth, Razëm, Tamarë dhe për herë të parë në Tale pasi kishim shumë kërkesa nga viti që shkoi nga pushesit që donin të merrnin shërbim aty”, tha Manastirliu.
Manastirliu shtoi se ekipet që do të punojnë në këto qendra verore janë të specializuar dhe janë trajnuar nga qendra kombëtare e urgjencës.
Këto qendra kanë tashmë një sinjislistikë të re, janë kollaj të evidentueshme dhe kanë një numër ku mund të kontaktohen nga cdo pushues.
Manastirliu njoftoi se tashmë autoambulancat janë pajisur me mjetet e nevojshme për shpëtimin e jetës.
“Janë 17 autoambulanca që janë vendosur pranë qëndrave apo edhe pikave ku nuk kanë qënë më parë, në zonat turistike. Kemi shtuar pika në plazhet ku ka fluks. Ne kemi vendosur 5 pika të shtuara po nuk janë të vetmet se këto janë vetëm për plazhet. Përpos këtyre janë edhe autoambulancat e spitaleve tona”, tha Ministrja.
Një tjetër risi në urgjencat spitalore është një sistemi i ri i trajtimit të urgjencave, që shmang pritjet e gjata të pacientëve, sistemi i triazhit, ku sipas një kodi që tregon rastet më emergjente nis trajtimi me shpejtësi i pacientit më në nevojë.
Në anë tjetër, që prej muajit Prill, nga Inspektoriati Shtetëror i Shëndetit janë kryer 2883 inspektime në subjektet si pishina apo restorante për të rekomanduar përmirësime në kushtet higjieno sanitare. Janë marrë masa administrative por mbi të gjitha janë dhënë rekomandime për të përmirësuar kushtet nga subjektet si njesite akomoduese, etj. /Lexo.al/